Ligji "Antimafie", sekuestrohet pasuria edhe pa një dosje penale
Ndryshe nga Kodi i Procedurës Penale, paketa "Antimafie" që ka kaluar me një shumicë të thjeshtë në Parlament, parashikon që qytetarëve shqiptarë u sekuestrohet pasuria edhe nëse nuk janë të pandehur për një krim. Mjafton që dikush t‘u shënojë emrin në regjistrin e veprave penale dhe çdo punonjës i policisë apo prokurorisë mund t‘i sekuestrojë pasurinë nëse nuk e ka të deklaruar. Në nenin 21 të ligjit bëhet fjalë për kërkesat për konfiskimin e pasurisë dhe barrën provës. Në ligj thuhet shprehimisht se: Masa e konfiskimit vendoset me kërkesën e prokurorit, i cili i paraqet gjykatës arsyet ku bazohet kërkesa.
Konfiskimi i pasurisë kërkohet dhe vendoset edhe në raste kur ndaj pasurive nuk është kërkuar dhe vendosur masa e sekuestrimit. Barra e provës për të vërtetuar se pasuritë janë fituar në mënyrë të ligjshme i përket personit kundër pasurive të të cilit kërkohet konfiskimi. Ndërkohë, ligji ka parashikuar edhe procedurat gjyqësore të konfiskimit. "Gjatë gjykimit të kërkesës për konfiskim zbatohen, për aq sa është e mundur, dispozitat e Kodit të Procedurës Civile. Me kërkesë të prokurorit, gjykata mund të vazhdojë gjykimin edhe në raste kur personi nuk ka banim të njohur brenda vendit, është larguar jashtë vendit ose me gjithë kërkimet e bëra nuk gjendet. Kur gjatë shqyrtimit gjyqësor del se pasuritë e sekuestruara u përkasin personave të tretë, gjykata, edhe kryesisht, me vendim të arsyetuar, i thërret ata për të ndërhyrë në proces", thuhet në këtë ligj shumë të debatuar. Në nenin 24, i cili bën fjalë për pranimin e kërkesës për konfiskim, thuhet se gjykata vendos konfiskimin e pasurive kur ka dyshime të arsyeshme, bazuar në indice, për pjesëmarrjen e personit në veprimtari kriminale. Gjithashtu, pranohet kërkesa edhe kur nuk provohet se pasuria ka prejardhje të ligjshme apo personi nuk justifikon zotërimin e pasurive apo të të ardhurave, që nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme, të deklaruara dhe as nuk justifikohen prej tyre dhe kur rezulton se pasuria është drejtpërdrejt ose tërthorazi në zotërim të pjesshëm apo të plotë personit. "Gjykata mund të vendosë pranimin e kërkesës për konfiskimin e pasurisë edhe kur procedimi penal i filluar ndaj personit pushohet (për shkak të pamjaftueshmërisë së provave, të vdekjes së personit dhe se personi nuk mund të merret si i pandehur dhe nuk mund të dënohet) dhe personi deklarohet i pafajshëm (për shkak të pamjaftueshmërisë së provave dhe se vepra penale është kryer nga një person, që nuk mund të akuzohet ose dënohet", thuhet në ligj. Sipas tij, sekuestrohet pasuria edhe ndaj personit që është proceduar për një vepër penale, që përfshihet në fushën e zbatimit të këtij ligji, por gjatë procedimit penal ndryshohet cilësimi juridik i veprës dhe vepra e re është jashtë fushës së zbatimit të këtij ligji.
S.Ç.