E Diel, 1 Nëntor 2026

Dibër, shtëpitë e rrënuara nga tërmeti mbeten pa prekur

Pasojat e tërmetit shkatërrues të 6 shtatorit 2009 në Qarkun e Dibrës, edhe pas katër muajsh ende vazhdojnë të ndihen si në ditën e parë të rënies së tij. Për banorët e dëmtuar vazhdon e njëjta situatë, madje edhe më e rëndë, pasi dimri ka hyrë plotësisht. I ftohti i ka detyruar banorët të braktisin çadrat ku u strehuan prej muajsh dhe të futen në katet e para të banesave, ku dhe dëmtimet e shtëpive janë më të pakta. Vlerësimi i bërë në bazë të çmimeve të miratuara për këtë qark nga Enti Kombëtar i Banesave ka lënë tejet të pakënaqur banorët e prekur nga tërmeti. Pakënaqësia e banorëve erdhi jo vetëm për vlerën e ulët të përcaktuar për ta në listat e dëmshpërblimit, por edhe për mospërfshirjen e mjaft familjeve të dëmtuara në këto lista. Banorët ankohen jo vetëm për mungesë transparence, por ata akuzojnë strukturat shtetërore edhe për korrupsion në shpërndarjen e këtyre fondeve. Ata akuzojnë kryekomunarët për ndikim në komisionet qeveritare të vlerësimit të dëmeve, kur thonë se në lista janë përfshirë gjithë punonjësit e administratës së komunave dhe njerëz të afërt e të lidhur me ta. Ndërkohë që këta të fundit pohojnë se nuk kanë pasur asnjë lloj ndikimi, pasi këto komisione kanë qenë krejt të pavarura prej tyre. "Jemi dhjetëra banorë kryefamiljarë të fshatit Lubolesh në Komunën Gjoricë, që pasi jemi endur me ditë të tëra në dyert e komunës, Këshillit të Qarkut dhe Prefekturës Dibër, ku nuk jemi sqaruar për mospërfshirjen tonë në listat e dëmshpërblimit, i jemi drejtuar me një letër kryetarit të komunës dhe për dijeni gjithë strukturave qeveritare deri edhe Kryeministrit Sali Berisha, ku me raste konkrete evidentojmë korrupsionin në shpërndarjen e fondeve për banesat e dëmtuara nga tërmeti në fshatin tonë", thotë Liman Kotili, njëri prej këtyre banorëve. Ndërkohë, ankesa të tilla vijnë nga të gjithë fshatrat e dëmtuar. Por edhe ato familje që janë dëmshpërblyer, nuk kanë mundur të rikonstruktojnë shtëpitë e tyre, pasi vlera e dëmshpërblimit ka qenë tejet e ulët, që në disa raste shkonte vetëm për ndërrimin e një dere të shtëpisë. Ndaj festat e këtij fundviti, banorët e zonës së tërmetit duhet t‘i "festojnë" në shtëpitë e dëmtuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›