"Elbasani i varfër po pasuron të huajt"
Një qytet pa det e port, pa kufij e dogana, përpiqet t‘i bëjë sfidë tranzicionit e të rreshtohet në radhën e qyteteve të zhvilluara shqiptare. Dikur i klasifikuar në kategorinë "A" , (katër qytete kanë qenë të tillë në sistemin njëpartiak) sot, edhe pse është qarku i dytë më i madh ka "zbritur" disa shkallë më poshtë për arsye objektive e subjektive. Me një popullsi rreth 150 mijë banorë, i dyfishuar që nga vitet ‘90, Elbasani numëron sot rreth 35 mijë të papunë dhe nivelin më të ulët të jetesës. Qyteti që mbizotëronte me industrinë e rëndë metalurgjike kishte mundur të mbante gjallë rreth 20 mijë metalurgë, specialistë e punëtorë të kualifikuar në shumë degë industriale. Sot kjo kategori e aftë për punë nuk i kalon të njëmijë vetat. Ndërsa ndonjë analist ekonomie ia vë "fajin" industrisë jo-rentabël të para 20 vjetëve, ata që e dinë mirë se "ku u pikon çatia", fajësojnë politikat ekonomike të gabuara të të gjitha qeverive postkomuniste. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për këtë qytet, Veli Kazazi, sqaron në një intervistë për gazetën "Shqip" disa nga arsyet e varfërimit të Elbasanit, që sipas po pasuron bizneset e huaja.
A ka ndryshuar Elbasani në këta 20 vjet?
Po, ka ndryshuar në dendësinë e popullsisë, por jo aq sa Tirana, si qyteti më i afërt me të. Në Elbasan ka zbritur afro një e treta e popullsisë aktuale, por për fat të mirë kjo kategori jeton me të ardhurat nga emigracioni, duke mos i "rënë më qafë" popullsisë autoktone apo asaj "të vjetruar" në këtë qytet, që rend pas ndihmës ekonomike. Nuk po flasim për afro 150 mijë banorët e tij, por të paktën për afro 100 mijë që kanë mbetur si peshku pa ujë qëkurse është tharë industria.
Cila industri?
Ajo që dihet nga të gjithë, Metalurgjiku që ushqente mbi kufijtë e koeficienteve të një jete normale mbi 12 mijë familje, fabrika e Çimentos, rreth 700 familje, Ferrokromi rreth 500 familje, industria e lehtë mbi 1 mijë familje, shërbimet e tjera publike me rreth 2 mijë familje, pa llogaritur tri ish-fermat bujqësore që prodhonin perime edhe në dimër për miqtë gjermanë. E, ç‘të them më shumë. Bjeri një llogarie, sa familje ishin punësuar në raport me popullsinë e dikurshme dhe sa sot?
Por industria e rëndë nuk ishte rentabël...
Po, se u interesonte "trusteve" dhe monopoleve ekonomike të lidhura me qeverinë, por rentabiliteti ishte real, përkundër parajsës së "çekut të bardhë" dhe "zonës së lirë industriale".
Si ta kuptojmë më konkretisht?
Nuk do as mend e as kalem. Pse ata që i morën këto industri për shfrytëzim ndryshuan metodat e prodhimit për rentabilitet? Jo! Metalurgjiku i dhënë me koncesion për turqit shfrytëzon të gjitha kapacitetet e industrisë së hekurit të ndërtuar nga shqiptarët. Po kështu, edhe uzina e Ferrokromit, fabrika e Çimentos e shumë sektorë të tjerë industrialë që u gjetën gati, u shtuan ca makineri dhe iu dhanë të huajve për një copë bukë. Përndryshe, ky pellg industrial do të numëronte së paku 100 miliarderë shqiptarë që jo vetëm do të punësonin Elbasanin, por do të kërkonin fuqi punëtore shtesë nga rrethet e tjera.
Ǒrol luan Dhoma e Tregtisë në këtë mes?
Përpjekjet kanë qenë dhe mbeten që kjo dhomë të jetë promotori i zhvillimit të një qyteti në të gjithë sektorët e tij. Rezultate ka pasur brenda mundësive financiare dhe menaxhuese të komunitetit të biznesit. Nuk mungojnë dhe binjakëzimet apo lidhjet me të tjera dhoma analoge në botë. Por, do të thosha se për sa kohë që qeveritë nuk do ta shohin biznesin si partner në zhvillimin ekonomik, nuk do të kemi as zhvillime intensive e as ekstensive. Mungesa e politikave të qarta qeveritare dhe e frymës së dashamirësisë nga ana e saj në raport me biznesin ka bërë që ky i fundit herë-herë të punojë me "litar në grykë".
Për Elbasanin ka pasur shumë premtime nga qeveria...
Tjetër gjë premtimi dhe tjetër realiteti konkret. Ku është zona e lirë industriale?! Është premtuar dhjetë herë deri tani dhe gjithçka ka mbetur në këtë kuadër. Një zonë e lirë industriale për këtë qytet është e barabartë me një port të qytetit bregdetar. Na flitet edhe për tunelin e Qafë-Kërrabës, por mbetet e pabesueshme përderisa kërkohet dyfishi i fondeve që ka ngrënë rruga e Kukësit. Për mua, Elbasani është i dyti si njësi administrative në vend, por i gjashti për nga kurba e zhvillimit ekonomiko-industrial, për të mos folur për atë agrobujqësor.