E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pretenca; Trafiku i drogës Shqipëri-Gjermani, 10 vjet burg për Gazmend Hasaj



Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dënimin me 10 vite burg për të pandehurin Gazmend Hasaj, i akuzuar për “trafik droge” drejt Gjermanisë. Për këtë shtetas është aplikuar gjykimi i shkurtuar me kërkesë të tij në seancat e mëparshme. I pandehuri Hasaj akuzohet se ka dërguar drejt Gjermanisë 11 kg marijuanë, të cilën do e priste shtetasi Edis Muja. Kjo sasi e ardhur nga Shqipëria ka alarmuar autoritetet gjermane, të cilët kanë nisur bashkëpunimin mes palës shqiptare për të hedhur dritë mbi rrjetin që bëri të mundur kalimin e drogës drejt Gjermanisë. Nga hetimet ka rezultuar se Muja e ka pasur një bashkëpunëtor në Shqipëri, konkretisht në Tiranë. Nisur nga faktet e grumbulluara, Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë të Gjermanisë bëri të mundur arrestimin e një shtetasi të akuzuar për trafik droge nga Shqipëria në Gjermani, i cili pasoi arrestimin e tri ditëve më parë në Gjermani. Në pranga në të dyja shtetet kanë rënë Gazmend Hasaj dhe Edis Muja. 33-vjeçari nga qyteti i Shkodrës është ndaluar nga policia, pasi akuzohet për veprën penale “trafik të lëndëve narkotike” nga Shqipëria në Gjermani. Për Gazmend Hasaj, 33 vjeç, kishte një urdhër-arrest nga Gjermania. Operacioni u organizua nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe me policinë dhe autoritetet gjyqësore gjermane. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, po për trafik droge, tri ditë më parë u arrestua në Gjermani Edis Muja, pasi akuzohet për trafikim nga Shqipëria në Gjermani të 11 kg marijuanë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›