Kryebashkiaku thirrje Ina Ramës: “Hetoni shpifjet e Berishës”
Autori i Lajmit: RedaksiaHetoni shpifjet e kryeministrit Sali Berisha. Kjo është thirrja që kreu socialist, njëherazi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i bën kryeprokurores Ina Rama. “I rikërkoj publikisht prokurores së Përgjithshme që hetimi për këtë shpifje dhe për të gjitha shpifjet e kallëzuara edhe publikisht të mos zvarriten, por të hetohet pa humbur kohë në radhë të parë për të mirën e publikut në këto kohë të vështira për vendin”, - thekson Rama ndërsa nënvizoi se publikimi në media i fakteve për shitjen e truallit tek ish- parku “Rinia” vërtetuan, sipas tij, shpifjet e kryeministrit Berisha. Kryebashkiaku ka kujtuar se vendimi për shitjen e truallit tek Tajvani është marrë nga Këshilli Bashkiak me votat e anëtarëve të të dy partive të mëdha, madje theksoi se ai vetë ishte shprehur kundër këtij vendimi. “Për truallin në fjalë ka vendosur me vota të të dy partive të mëdha Këshilli Bashkiak, pavarësisht nga mendimi im i kundërt shprehur edhe në debatin gjatë mbledhjes. Kujtoj se në atë kohë unë nuk kam qenë kryetar i Partisë Socialiste. Pra në atë kohë çmimi i shitjes së truallit në fjalë, i quajtur sot çmim abuziv nga Berisha, është miratuar në fakt nga Këshilli Bashkiak me votat vendimtare të përfaqësuesve të Berishës dhe në kundërshtim të hapur me propozimin tim për një vlerësim të posaçëm të atij trualli”, - është shprehur kreu i Bashkisë së Tiranës.
Ky lajm është publikuar: 24/12/2009