E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama letër Topallit “Mos miratoni projektligjin për Inspektoratin e Ndërtimit”

Autori i Lajmit: Suela TopiKryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, konteston projektligjin e miratuar së fundi nga Qeveria për ngritjen e një njësie të posaçme pranë Inspektoratit të Ndërtimit. Për këtë arsye, i ka dërguar një letër dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ku shkruan se ky projektligj bie ndesh jo vetëm me parimet kushtetuese, por dhe me disa vendime të Gjykatës Kushtetuese si dhe me raportet e komisioneve të organeve të Këshillit të Evropës duke sjellë regres të dukshëm në reformën e decentralizimit, duke cenuar rëndë autonominë vendore. Çështjet e kontrollit të territorit, argumenton kryebashkiaku i Tiranës, janë qartazi funksion dhe autonomi e pushtetit vendor. Në fund të letrës drejtuar Kuvendit, kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama, argumenton se qeveria me propozimet e saj për fuqizimin e Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit nuk është konsultuar me njësitë vendore, sikundër parashikojnë normat kushtetuese dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Për të gjitha këto argumente, Rama kërkon mosmiratimin e tyre në Kuvend.
Letra
“Projektligji, i cili rrit kompetencat e Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit brenda territorit të njësive vendore dhe pa vendim gjykate, është në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, por edhe ndaj vendimeve specifike të marra më parë nga Gjykata Kushtetuese, çka sipas tij, sjell edhe regres në ecurinë e reformës së decentralizimit, dhe cenon parimin e autonomisë vendore”, - shkruan Rama në letrën drejtuar kryeparlamentares. Duke renditur me tej argumentet, Rama thotë se edhe dhënia e kompetencave për policinë ndërtimore që të ndërhyjë pa vendim gjyqësor në veprimtarinë e autoriteteve vendore, tejkalon standardet kushtetuese dhe normat ndërkombëtare. Sipas Ramës, duke i dhënë Inspektoratit të Ndërtimit atribute vendore, krijohen premisa për konflikt të hapur kompetencash dhe pasiguri tek qytetarët, pasi ky propozim i Qeverisë është kërcënim i hapur për ligjërimin e arbitraritetit e abuzimit të pushtetit. Në letrën drejtuar Kuvendit dhe Qeverisë, Rama kujton rastin e mbikalimit te Zogu i Zi, kur Policia Ndërtimore vendosi shkatërrimin e këtij objekti të investuar nga Bashkia, por që gjykata i dha të drejtën Bashkisë. Kryebashkiaku citon më tej në letër se propozimet e Qeverisë janë në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës, nëpërmjet parimit të ligjshmërisë dhe atij të sigurisë juridike, të sanksionuara në nenin 4 të Kushtetutës. Ai shkruan më tej se shkelet gjithashtu dhe parimi i ligjshmërisë dhe i sigurisë, sepse krijon përplasje mes Inspektoratit vendor të Ndërtimit dhe Inspektoratit qendror të Ndërtimit. Një tjetër shkelje, sipas Ramës, është cenimi i parimit të ndarjes së pushteteve, pasi projektligji i Qeverisë krijon kapërcime të kompetencave të pushtetit gjyqësor në favor të atij ekzekutiv, pasi ky i fundit mund të kryejë veprime pa vendim gjykate. Në fund të letrës drejtuar Kuvendit, kryetari i Bashkisë së kryeqytetit argumenton se Qeveria me propozimet e saj për fuqizimin e Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit nuk është konsultuar me njësitë vendore, sikundër parashikojnë normat kushtetuese dhe marrëveshjet ndërkombëtare në këto raste, pasi janë çështje që i përkasin drejtpërdrejti pushtetit lokal. Për të gjitha këto argumente Rama i konsideron propozimet Qeverisë shkelje të hapura, flagrante e të përsëritura të normave e parimeve të shtetit të së drejtës, që bien ndesh me Kushtetutën, ndaj kërkon mosmiratimin e tyre në Kuvend.

Prefektura e Tiranës padit kryetarin e Bashkisë

Prefektura e Tiranës ka njoftuar dje se ka dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, lidhur me lejet e ndërtimit. Prefektura pretendon se është shkelur ligji për Urbanistikën. “Ashtu siç ju bëmë me dije dhe në konferencën për shtyp të datës 19 dhjetor nga institucioni i prefektit të qarkut Tiranë lidhur me lejet e ndërtimit të dhëna nga Bashkia Tiranë në mungesë të formularit dhe lejes nga Policia e Mbrojtjes kundër Zjarrit, leje këto të dhëna në kundërshtim me ligjin për Urbanistikën, po dorëzojmë kallëzimin penal kundër kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, Zyrës së Urbanistikës dhe KRRT-së së Bashkisë në kohën kur janë dhënë këto leje ndërtimi”, - pohoi dje zëdhënësja e Prefektures, Elsi Zala.

Ky lajm është publikuar: 24/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›