Nga Guantánamo në studiot e “Al Xhazirës”
Autori i Lajmit: Nga Brian StelterNga 779 të arrestuarit, të cilët janë mbajtur në burgun famëkeq të Gauntanamos në Kubë, - si të dyshuar për terrorizëm, simpatizantë të Al-Kaedës dhe njerëz që mendohet se janë luftëtarë armiq nga ushtria e Shteteve të Bashkuara, - vetm njëri prej tyre ishte gazetar. Gazetari Sami al-Hajj, punonte si kameraman për televizionin e “Al Xhazirës”, kur ai u ndalua nga forcat pakistaneze në kufirin me Afganistanin në fundin e vitit 2001. Ushtria e Shteteve të Bashkuara e akuzoi zotin Haj, mes të tjerash, dhe për falsifikim dokumentesh dhe financim të rebelëve çeçenë, edhe pse ndaj tij nuk ishte ngritur asnjëherë ndonjë akuzë kriminale gjatë viteve që mbahej nën vëzhgim. Tani, më shumë se një vit nga lirimi i tij, zoti Hajj, një qytetar 40-vjeçar nga Sudani, është kthyer sërish në punë në rrjetin satelitor arab të lajmeve, ku drejton një panel për të drejtat dhe liritë e njeriut. Dikur rob, tashmë Hajj është ulur në karrigen e reporterit. “Kam dashur të flasë për shtatë vjet, për të kompensuar ato shtatë vjet heshtje”, - tha zoti Hajj me ndihmën e një përkthyesi gjatë një interviste në zyrat e televizionit më të madh arab, në Doha të Katarit. Mes shikuesve të “Al Xhazirës” në botën arabe që prej sulmeve të 11 Shtatorit, ndoshta asgjë nuk e ka dëmtuar imazhin e Amerikës sa burgu i Guantanamos. Për këtë arsye, Sami al-Hajj, i cili ka bërë një dokumentar me gjashtë seri për burgun famëkeq pas lirimit, është një armë e fuqishme për rrjetin, i cili duhet thënë se jo gjithmonë kërkon objektivitetin gazetaresk kur bëhet fjalë për keqtrajtime. Në një intervistë, Ahmed Sheikh, kryeredaktori i “Al Xhazirës”, e quajti zotin Hajj “një nga viktimat e mizorisë ndaj të drejtave të njeriut kryer nga ish-administrata e Shteteve të Bashkuara”. Por zoti Hajj nuk e kufizoi vetëm me Guantanamon dhe burgosjen e tij. Ai e zgjeroi mbulimin e rrjetit dhe me çështje të tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, përfshirë lirinë e shtypit në Irak, palestinezët në burgjet izraelite dhe problemet e ligjit Patriot. Në një mëngjes të mërkure në mes të gushtit, zoti Hajj nxiti departamentin e informacionit të mbulonte një grevë urie të të burgosurve politikë në Jordani dhe bëri me shenjë një televizor aty afër kur u shfaq lajmi në fund të ekranit. Por eksperienca e tij nuk e ka radikalizuar atë: Sami al-Hajj tha se pavarësisht se ai ishte rritur në një vend të dhunshëm, shpesh represiv dhe eksperiencës së tij si i arrestuar, ai kishte pasur një besim të vazhdueshëm në demokraci dhe zbatimin e ligjit. Terri Anderson, një korrespondent i “Associated Press”, i cili është mbajtur nën arrest në Liban nga vitet 1985 deri 1991 nga fondamentalistët islamikë, tha se ai mund ta kuptonte detyrën e zgjedhur për zotin Hajj. “Çfarë bën në burg, thjesht mendon për jetën. Mendon për atë që bëje dhe që të çoi këtu”, - tha zoti Anderson. Historia e zotit Hajj është e njohur nga shikuesit e “Al Xhazirës”, por jo për shumicën e amerikanëve. (Si me eksperiencat e shumë të burgosurve në burgun e Guantanamo Bay, versioni i Samiut është i pakonfirmuar nga zyrtarët amerikanë apo nga ndonjë dokument). Pasi punoi në një kompani prodhimi pijesh dhe më pas u përpoq për të nisur një biznes në Azerbajxhan, ai nisi të punonte si kameraman në televizionin “Al Xhazira” në vitin 2000. Ai u arrestua më 15 dhjetor 2001, duke u përpjekur të kalonte kufirin për tu kthyer në Afganistan me kamerën e tij dhe një gazetar. Më vonë ai mësoi se amerikanët po kërkonin një tjetër kameraman të këtij televizioni me një emër të ngjashëm me atë të Samiut, i cili kishte regjistruar një intervistë me Osama bin Ladenin pas sulmeve të 11 Shtatorit. Pasi u arrestua nga autoritetet lokale në Pakistan, zoti Hajj u transferua në kujdestarinë e amerikanëve, - thotë ai, ku u torturua dhe u godit në një burg në bazën ajrore të Bagramit në Guantanamo Bay në mesin e vitit 2002. Duke kujtuar këtë histori, ai mendon se u dërgua në bazën amerikane pjesërisht, sepse ishte gazetar. “Kisha parë shumë gjëra, të cilat nuk duhet ti kisha parë”, - tha ai, duke cituar trajtimin barbar të të burgosurve në Bagram në veçanti. Zoti Hajj pretendon se gjatë seancave të gjata të marrjes në pyetje, atij i kërkoheshin detaje për stafin e televizionit, politikat dhe procedurat e punës dhe disa roje nisën ta thërrisnin me nofkën “Al Xhazira”. Samiu kujton se njëri nga hetuesit e pyeti një herë, se “sa e paguante Bin Ladeni “Al Xhazirën” për propagandën që i bënte”? “Po më bëni pyetjen e gabuar”, - u ishte përgjigjur Samiu, duke theksuar se Bin Ladeni nuk ishte një partner i propagandës së “Al Xhazirës”, por thjesht një person që prodhonte lajm”. Ne hetuesinë amerikane, ai u përpoq të praktikonte gazetarinë, duke shkruar dëshmi për avokatët e tij dhe pjesëtarët e familjes, duke komentuar historitë e abuzimeve të shokëve të tij të arrestuar, madje edhe duke i vizatuar skenat kur të burgosurit i ushqenin me dhunë, ndërsa ata ishin në grevë urie. “Ndjeva se kisha nevojë ta dokumentoja këtë histori”, - tha ai, - kështu që brezi i ri të mësojë seriozitetin e krimit që është kryer”. Samiu theksoi fjalën arabe seriozitet ndërsa tha këtë frazë. Gjatë intervistave zoti Hajji tregoi një plagë të thellë në këmbën e tij të majtë, për të cilën tha se i ishte shkaktuar nga gozhdimi pas hekurave të qelisë së tij teksa ushtrohej dhunë. Ai përsëriti se trauma psikologjike ishte shumë më e rëndë dhe ajo fizike dhe tha se vazhdon ende të shkojë tek psikologu. Ndërsa e pyetën për “Al Xhazirën” një zëdhënës i Pentagonit tha se njerëzit e medies “nuk janë objektiv i forcave të SHBA-së, por as media nuk ka imunitet, nëse ajo përfshihet në aktivitete të dyshimta që kanë lidhje me terrorizmin”. Zëdhënësi shtoi se asnjë nga të burgosurit nuk ishte keqtrajtuar teksa ishte marrë në pyetje. Sipas Zahari Katznelson, drejtorit ligjor për anulimet e dënimeve me vdekje, një grup i të drejtave të njeriut që përfaqësoi zotin Hajj, deklaratat kishin ndryshuar me kalimin e viteve: “Së pari, Samiu pretendohej se kishte filmuar një intervistë të Osama bin Ladenit. Por ai doli të ishte një kameraman tjetër dhe pretendimet ranë. Më pas Shtetet e Bashkuara thanë se Samiu drejtonte një sajd xhihadist interneti. Më pas thanë se Samiu ishte në Afganistan për tu shitur raketa rebelëve çeçenë. Por për të mbështetur ato çka u përmendën më sipër ata skishin asnjë provë, kështu që këto pretendime ranë”.
Lirimi i zotit Hajj, i cili u kthye në Sudan me një barrelë, erdhi në maj të 2008-ës, pasi ishte lobuar nga grupet e të drejtave të njeriut dhe qeveria e Sudanit. Zëdhënësi i Pentagonit tha se lirimi i zotit Hajj “tregoi besimin tonë se qeveria e Sudanit do të zvogëlonte në maksimum kërcënimin që ai shfaqte”. Që prej lirimit, Samiu ka shtuar në peshë dhe është bërë më i zoti me fjalët. Ai e ndan kohën mes “Al Xhazirës” dhe Qendrës për Drejtësi të Guantanamos, një grup ish-të burgosurish të këtij burgu, në të cilin Samiu është bashkëthemelues. Përmes qendrës ai po përpiqet të përgatisë një padi ndaj ish-presidentit Xhorxh Bush dhe zyrtarëve të administratës së tij. Edhe gjatë përkthimit të intervistës së tij, Samiu u tregua shumë i kujdesshëm me gjuhën, duke i quajtur të burgosurit në Guantanamo “robër”, sepse sipas tij, Guantanamo është “një vend i paligjshëm”. Kur një vizitor përmendi “teknika të ekzagjeruara të të marrit në pyetje”, një term amerikan që përshkruan trajtimin e ashpër të të burgosurve”, zoti Hajj e ndërpreu përkthyesin dhe tha në arabisht “në vend të torturës”? Ne po japim përshtypjen e gabuar” me këtë term, - tha ai. “Ne si gazetarë po dhunojmë të drejtat e njeriut, sepse po ndryshojmë perceptimin e realitetit”. Çuditërisht, ndërsa qëndronte në një burg të miratuar nga autoritetet amerikane, zoti Hajj i besoi sistemit politik amerikan. Ai mblodhi informacione nga rojet për zgjedhjet presidenciale amerikane të 2004-ës dhe ishte shumë i sigurt se votuesit amerikanë do ta refuzonin zotin Bush, pas të cilit do të vinte dhe lirimi i tij. Por kur rojet e informuan Samiun se Xhorxh Bush ishte rizgjedhur president, ai mbeti i tronditur. “Megjithatë, isha i sigurt se do ti mbijetoja Bushit”, - tha Sami al Hajj.
(The New York Times)
Përkthyer nga Androkli DraloKy lajm është publikuar: 27/12/2009