Situata alarmante në kaskada, mblidhen ministrat
Autori i Lajmit: RedaksiaPrurjet e dendura të ujit kanë vënë në lëvizje kabinetin qeveritar. Situatë alarmante ka bërë që pas udhëzimit të Kryeministrit Berisha, në Ministrinë e Brendshme u mblodh dje Grupi Ndërministror i Emergjencave Civile për të diskutuar mbi masat e marra dhe për të koordinuar veprimet për shmangien e çdo situate emergjente që mund të krijohet nga reshjet e shumta të ditëve të fundit. Në takim morën pjesë ministrat Basha, Prifti, Olldashi, Imami dhe zv.ministri i Bujqësisë Fazllia, si dhe drejtuesit e Emergjencave Civile, të Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura dhe të KESH-it. Grupi Ndërministror i Emergjencave Civile vlerësoi masat e marra deri më tani si dhe miratoi plan-veprimin për monitorimin dhe koordinimin e të gjitha strukturave për mbajtjen nën kontroll të situatës. Konkretisht, në qarqet Shkodër dhe Lezhë, shtabet e emergjencës funksionojnë në mënyrë permanente duke ndjekur situatën orë pas ore dhe duke verifikuar informacionin nga të gjitha hallkat e kontrollit. Nëpërmjet shtabeve të emergjencës janë njoftuar drejtuesit vendorë të të gjitha niveleve si dhe komuniteti i zonave që mund të rrezikohet nga prurjet e mëdha ujore për gatishmërinë e duhur dhe shmangien e çdo rreziku të mundshëm. Spitalet dhe qendrat shëndetësore janë njoftuar gjithashtu për të qenë të përgatitura për çdo situatë që mund të krijohet. Ministritë e linjës kanë vënë në gatishmëri të plotë të gjitha strukturat përkatëse me burimet njerëzore dhe bazën logjistike të nevojshme për përballimin e ndonjë situate emergjente që mund të krijohet. Konkretisht në terren dhe në gatishmëri janë strukturat dhe mjetet e emergjencave civile, struktura dhe mjete të Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura, të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Bordeve të Kullimit. Sakaq, konfirmohet se hidrovorët janë në gatishmëri të plotë dhe punojnë pa ndërprerje. Strukturat e KESH-it kanë raportuar se po monitorojnë pa ndërprerje prurjen e ujërave në digat e të gjitha hidrocentraleve në kaskadën e Drinit duke ndërmarrë edhe veprimet e nevojshme për shkarkimin e tyre dhe njëkohësisht për furnizimin e popullatës me energji elektrike. Grupi Ndërministror i Emergjencave Civile tha se do të monitorojë situatën në vijimësi dhe do të mblidhet vazhdimisht për të marrë vendimet përkatëse deri në shmangien e çdo rreziku të mundshëm apo krijimin e ndonjë situate emergjente.
Forcat e Armatosura vendosen në gatishmëri për shkak të reshjeve në veri
Prurjet nga reshjet e mëdha të shiut të ditës së fundit po krijojnë një situatë emergjence në disa komuna në qarkun e Shkodrës. Për shkak të kësaj situate, me urdhër të kryeministrit, Sali Berisha, Ministria e Mbrojtjes tha se ka marrë të gjitha masat për të vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e Forcave të Armatosura. Ushtria mësohet se është vënë në gjendje gatishmërie dhe ka vënë në dispozicion të autoriteteve të Ministrisë së Brendshme të gjitha mjetet për të ndihmuar popullsinë civile dhe për të kryer evakuimin e banorëve në rast nevoje. Ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm po ndjekin emergjencën, - tha zyra e shtypit të dikasterit të Mbrojtjes.
Kryeministri, i shqetësuar për situatën
Reshjet e mëdha të ditëve të fundit kanë sjellë rritje shumë të madhe dhe të shpejtë të nivelit të ujit në digat e kaskadës së Drinit, por edhe të Matit. Kështu, dje prurjet më kaskadën e Drinit po shkojnë në rreth 4 mijë metër kub në sekondë. Ndërkohë, Vau i Dejës dhe Koman po shkojnë drejt niveleve maksimale. Kjo situatë ka preokupuar sot kryeministrin Sali Berisha i cili përmes një informacioni që i komunikoi mediave, pohoi se niveli thuajse maksimal i prurjeve, “ka imponuar shkarkimin nga tunelet e sigurisë në Koman, Vaun e Dejës, por edhe në Ulëz”. Kryeministri Berisha thotë se po ndjek vazhdimisht situatën, si me Ministrinë e linjës, ashtu edhe me autoritetet vendore, kurse evidenton se deri tani nuk ka përmbytje. Ndërkohë, Kryeministri ka urdhëruar Ministrin e Brendshëm që të dërgojë drejt zonave të rrezikuara emergjencën civile, si dhe Ministrin e Mbrojtjes për dërgimin në këto zona të reparteve të Xhenjos. Bëhet e ditur po ashtu se Kryeministri ka kërkuar hartimin e evakuimit të banorëve në rast nevoje, kurse situata është nën vëzhgim të pandërprerë dhe aktualisht, në kontroll të plotë.
Ky lajm është publikuar: 28/12/2009