E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maxhoranca miraton ligjin Antimafia

 

bledar hoti

Parlamenti miraton me 74 vota pro ligjin e ri Antimafia. Nisma është cilësuar si mjaft e rëndësishme nga maxhoranca si pjesë e agjendës së integrimit evropian. Në diskutimet e tyre deputetët e Kuvendit kanë deklaruar se është një nga projektligjet më të rëndësishme, duke plotësuar një nga kushtet e vendosura nga ana e BE-së. Duke mbrojtur draftin, kryeministri Sali Berisha tha se ai është ligji i dytë më i rëndësishëm që miraton Parlamenti pas moratoriumit të mjeteve lundruese. Sipas tij ligji i jep përgjigje mafies në Shqipëri. “Ligji që miratojmë sot pas moratoriumit ndaj skafeve, përbën hapin e dytë madhor të vullnetit tonë për një luftë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Por në qoftë se ligji i skafeve ishte unik, një ligj i tillë ekziston dhe funksionon me të gjithë forcën e tij në demokracitë më të konsoliduar të kontinentit”, u shpreh Berisha. Sipas tij “ka një reagim fund e krye të inspiruar nga kauza mafioze, përveçse ndonjë rast të veçantë. Nga ky ligj duhet të trembet vetëm mafia. Ky ligj garanton çdo biznes shqiptar nga kthetrat e pamëshirë dhe tentakulat e mafies”. Në të njëjtën kohë Berisha bëri të ditur se agjencitë e zbatimit të ligjit do të kenë një ristrukturim të ri në funksion të luftës ndaj mafies. Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi tha se “sot ne jemi gati për të miratuar ligjin Antimafia dhe e kemi detyrim t’u tregojmë shqiptarëve se ai është kontestuar fort nga Edi Rama. Ky i fundit nuk ka përtuar dhe ngurruar të nxjerrë njerëzit e tij për ta kundërshtuar, ndërkohë që për kryeligjin e buxhetit të shtetit është kujtuar vetëm ditën e fundit, kur po miratohej nen për nen, për të thënë ca fraza shkarazi”. “Në prag të miratimit të këtij ligji ne shtrojmë pyetjen, si ka mundësi që kryetari i partisë më të madhe të opozitës ka pothuajse zero interes për shpërndarjen e parave të taksapaguesve shqiptare, për pasurinë e tyre publike, por është shumë i ndjeshëm për pasuritë dhe pronat e mafies, saqë nuk e mban dot veten. Dhe përgjigja është e hidhur, por e thjeshtë. Sepse ai është më interesuar për buxhetin e mafies, sesa për buxhetin e shtetit. Dhe ky është një lajm i kobshëm për secilin prej nesh, tha ai. Deputeti i PD-së, Viktor Gumi, si një nga hartuesit e këtij drafti, theksoi se ai është brenda standardeve dhe se e ruan atë ligj që ka ekzistuar në vitin 2004, duke ruajtur 6 nene të tij. Ndërsa deputeti i LSI-së, Nasip Naço tha se ligji është brenda standardeve të kërkuara. Në bazë të këtij ligji është përcaktuar se hetohen pasuritë e personave mbi të cilën ekziston një dyshim i arsyeshëm, bazuar në indice: për pjesëmarrje në organizata kriminale ose grupe të strukturuara kriminale; pjesëmarrje në organizata terroriste ose banda të armatosura, si dhe kryerjen e pasurive të paligjshme sipas dispozitave të Kodit Penal. Përveç personave të afërm përfshihen dhe bashkëshortet, fëmijët e lindur të paslindur, vëllezërit, motrat,, ungjërit, emta, nipërit, mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe të motrave, vjehrri, vjehrra, nusja, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtri. Gjithashtu hetimi nisi edhe për persona fizik ose juridik, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të të tërthortë, kanë lehtësuar apo jo në një formë kanë ndikuar në kryerjen e veprimtarive të paligjshme. Masa të tilla parandaluese mund të kërkohet edhe ndaj trashëgimtarëve subjekt i këtij ligji, jo më vonë se 5 vjet nga data e vdekjes. Është sanksionuar se sekuestrimi i pasurive realizohet nga Gjykata me kërkesë të motivuar nga prokuroria. Ligji ka fuqi prapavepruese, pasi përcakton se zbatohet dhe për pasuritë e personave të krijuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, të cilët janë përfshirë në veprimtaritë kriminale.

Ligji antimafia

    Përfshihen në hetim dhe bashkëshortet, fëmijët e lindur të paslindur, vëllezërit, motrat,, ungjërit, emta, nipërit, mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe të motrave, vjehrri, vjehrra, nusja, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtri.

    Hetimi nisi edhe për persona fizik ose juridik, për të cilët ka të dhëna të mjaftueshme se pasuritë ose veprimtaritë e tyre zotërohen, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të të tërthortë, kanë lehtësuar apo jo në një formë kanë ndikuar në kryerjen e veprimtarive të paligjshme.

    Masa të tilla parandaluese mund të kërkohet edhe ndaj trashëgimtarëve subjekt i këtij ligji, jo më vonë se 5 vjet nga data e vdekjes.

    Është sanksionuar se sekuestrimi i pasurive realizohet nga Gjykata me kërkesë të motivuar nga prokuroria.

    Zbatohet dhe për pasuritë e personave të krijuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kusht që pasuritë të jenë vënë gjatë përfshirjes së dyshuar të tij në veprimtaritë kriminale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›