E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Fëmijët e mi, në politikë

 

Blendi Fevziu

Kryeministri Sali Berisha shprehet se fëmijët e tij i kanë dyert e hapura për të hyrë në politikë, por një gjë e tillë do të realizohet sipas të gjitha rregullave që ka Partia Demokratike. Në emisionin “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu në TVKlan, kryeministri bëri të ditur se nuk do të pranojë kurrë hapjen e kutive të 28 qershorit.
Cilat është rruga që kutitë të hapen ?
S’hapen kutitë, hiqe nga mendja. Kutitë nuk rihapen në mënyrë absolute.
Janë 65 deputetë që nuk pranojnë të hyjnë në Parlament?
Sot ne kemi të bëjmë me një kupolë deshendente. Janë dy ministra punistë, Gramoz Ruçi dhe Skënder Gjinushi.
Ku dolën dy, Gramoz Ruçi ka qenë në Shqipërinë pluraliste, në vitin 1991?
Kush ta tha, ishte Sigurimi i Shtetit zotëri. Në atë kohë Sigurimi i Shtetit varej nga ministria e Brendshme. Ishte sekretar i parë i Tepelenës dhe kandidat i Komitetit Qendror bashkë me Namik Doklen. Është kjo trojkë dhe është edhe Edvin Rama, i cili për hir së të vërtetës, vjen si deshendet i njërit prej persekutorëve kryesorë të inteligjencës shqiptare që ka qenë Spiro Koleka.
Po ka qenë protagonist i Lëvizjes së Dhjetorit, ka kundërshtuar ashpër Ramiz Alinë?
Lëre ç’ka kundërshtuar Ramiz Alinë ai atë e di unë. Ta mbyllim atë kapitull. Problemi i tij është këtu. Meqënëse Edi Rama i rrahu gjoksin dje shqiptarëve si Edvin Kristaq Rama. Unë do t’i them atij se i ati i tij ka firmosur ekzekutimin e Havzi Nelës.
Zoti Berisha, kjo është deklarata që duhet faktuar dhe është e rëndë?
Nëse do ia faktoj unë ia çoj dokumentin. Dhe për të cilën në rast se zoti Rama ka zero 0.1% ka idealet e dhjetorit duhet të dilte të bëjë fjale publike. Unë Sali Berisha nuk bëj kurrë përgjegjës djalin për të atin...
Kjo duhet verifikuar zoti Berisha?
Po e di ai nuk e mohon dot, pyete nëse është apo jo. Në rast se ai e mohon absolutisht botohet dokumenti. Nuk mban përgjegjësi i ati për të birin, por kur manifeston të njëjtën mendësi... Kur me të njëjtën mekanizëm përpiqet t’i mohojë shprehjen e vullnetit të lirë të shqiptarëve atëherë dëshmon se është më i zi se i ati. Atëherë dëshmon se ka dalë nga hundët e të atit.
Kjo deklaratë vjen menjëherë pasi Edi Rama ju ka akuzuar se si mjek keni internuar një kolegun tuaj në spital?
Nëse unë them këtu se i ati i zotërisë së tij ka firmosur për varjen e Havzi Nelës në sheshin e Kukësit bashkë me Ramiz Alinë.
Po ç’ punë kishte ai?
Jo zotëri, ishte anëtar i presidiumit Popullor në atë kohë.
Formalisht ishin artistët në atë kohë?
Jo e ke gabim. Presidiumi nuk ka qenë kurrë formal. Ai ka qenë një nga institucionet më te egra të diktaturës. Asnjë shqiptar nuk pushkatohej pa firmën e presidiumit, çka do të thotë se vendosej paraprakisht për pushkatimin e tij.
A keni ndikuar ju për internime?
Unë kurrë në jetën time. Po ajo që kam bërë, si mjek kam trajtuar me të njëjtat ndenja si atë që ishte internuar në kampet me gjemba, si atë që ishte i burgosur, si dhe atë që ishte anëtar i Byrosë Politike. Zoti Rama meqenëse e pretendon, nëse nuk e merr përsipër një shpifje ordinere, t’i nxjerrë emrin. E ke vënë re, pse nuk e nxjerr emrin?
Nëse e nxjerr opozita nesër emrin?
E mirëpres le ta nxjerrë emrin. Asnjë dhe një njeri i vetëm nuk është internuar as nga unë dhe as nga kolegët e mi. Gjatë gjithë karrierës sime, për hir të së vërtetës kemi qenë një kolektiv i shkëlqyeshëm, dua ta pohoj, edhe ata që punonin me diktatorin dhe me ata flisnim lirshëm dhe unë jam i bindur se kurrë s’kam denoncuar. Pra zoti Rama ka këto rrethana, është në këtë kontekst dhe të interesave të mafies që përfaqëson që nuk njeh votën e lirë të shqiptarëve.
A është përfshirë djali juaj te historia e Gërdecit?
Në mënyrë kategorike absolute jo.
A keni biseduar në mënyrë të drejtpërdrejt me të?
Shiko unë nuk jam kryetari i këshillit të Ministrave, jam prind i tyre. Por janë bërë 36 mijë faqe hetim dhe ka vetëm një faks të falsifikuar në mënyrën më të ulët. Në të cilin thuhet, shkruhet jashtë çdo lloj... qartësisht i falsifikuar dhe Aldo Bumçi e ka denoncuar në gjyq, se ky i çohej ministrisë së Mbrojtjes për djalin tim. E vërteta nuk është kështu. Kishte një emër tjetër dhe e shuan atë emrin tjetër dhe lanë këtë duke e përdorur për katër muaj.
A ndërhyjnë fëmijët tuaj në aktivitetin politik?
Në tërësi jo, në kuptim po. Domethënë më kanë ndihmuar shumë në fushata elektorale. Jashtë fushatës jo.
Ju këshillojnë për vendime të rëndësishme te qeverisë?
Absolutisht as edhe një. Vendimet e rëndësishme të qeverisë nuk bëhen ndonjëherë pjesë e diskutimit të qeverisë. Nuk kam ndërmend ta shndërroj familjen në një Këshill Ministrash të dytë. Familja është private. Fëmijët e mi kanë ndjekur një kod rigoroz, i cili ka bërë që ata pavarësisht nga 1 milionë akuzat të Edi Ramës, për të cilin vlerat e familjes janë zero, nuk ka qenë në gjendje të paraqesin qoftë dhe faktin më të vogël.
A inkurajoni ju, apo a keni përgatitur ju hyrjen në politikë të fëmijëve tuaj?
Vajza dhe djali që të dy. A inkurajoj përgatitjen e tyre? I sigurt të jesh ti se që nga viti ‘90 dhe gjer sa kanë shkuar jashtë shtetit me studime ata kanë qenë aktiv në të gjitha grevat, demonstratat. Si çdo familje politike, në këtë kontekst ata e kanë investimin e tyre në PD. Derën e kanë të hapur, kur të duan mund të marrin pjesë në përputhje me të gjitha rregullat, pa asnjë favor.
Ma thoni edhe një herë çdo më thonë kjo?
Kur të duan mund të hyjnë në politikë, mund të rihyjnë se kanë qenë në politikë. Por kanë përzgjedhur veprimtarinë private dhe unë jam indiferent ndaj ...
I inkurajoni të futen politikë?
Të drejtën të them, politika, nuk e gjykoj se dua t’i inkurajosh. Njeriu duhet të përzgjedhë vetë. Nëse do t’i inkurajoja do të krijoja përshtypjen se do u jepja një mbështetje. Nëse ata hyjnë në politikë ata duhet të ecin me meritën e tyre dhe jo me meritën e atit. Kjo nuk do të ndodhë, për këtë të garantoj.
Por mbiemri është një mbështetje?
Është një mbështetje është edhe një përgjegjësi.
Mund të hyjnë në politikë sipas jush?
Kur të duan.
Cili prej dy fëmijëve duket më i prerë për të hyrë në politikë?
Po të them se asnjëri ç’më ka thënë se kam ndërmend të hyjë. Ky është problemi a kupton apo jo?
Ju cilët do të inkurajoni. Zonja Malltezi në një intervistë të tre viteve më parë nuk më ka thënë jo kur e kam pyetur nëse donte të angazhonte në politikë?
Absolutisht që nesër nëse dëshiron, veçse në përputhje me rregullat që ka PD-ja, së cilës ajo i përket. Shiko, në politikë është shumë e vështirë që të bësh një karrierë reale për shkak të emrit të prindit.
Por është një mbështetje jo e vogël?
Përbën një mbështetje, nuk e mohoj.
Lidhet me nostalgjinë e militantit të partisë ndaj liderit?
Por edhe pritshmëria është e madhe. Ndaj dhe unë nuk i inkurajoj, por nuk i pengoj.
Pra ky mund të jetë një eveniment, ose një zhvillim i ardhshëm?
Jo nuk mund të them se mund të jetë. Nuk e them dot këtë. Them këtë se më kanë ndihmuar shumë, kanë qenë shumë të çmuar në fushatën zgjedhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›