Defekti bllokon 5 orë doganën
GJIROKASTER - Një defekt në sistemin kompjuterik paralizon punën në doganën greke të Kakavijës, pak ditë para nisjes së fluksit të emigrantëve për festat e fundvitit. Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit në Qarkun e Gjirokastrës, kanë bërë të ditur për gazetën "Panorama", se prej orës 04:00 të ditës së djeshme kalimi i shtetasve në të dyja anët e kufirit, ka qenë i bllokuar për arsye të mosfunksionimit të sistemit kompjuterik në pjesën greke. "Numri i personave që prisnin rinisjen nga puna të kompjuterëve, ka shkaktuar radhë të gjatë deri në 1.5 km", kanë pohuar burimet. Situata u arrit të normalizohej në orët e mesditës fill pas mbërritjes në Kakavijë të ekspertëve të informatikës nga qyteti grek i Janinës. Në orën 11:00 situata i është rikthyer normalitetit duke bërë që pas 60 minutash punë, karvani i automjeteve në pritje për të kaluar në Shqipëri, të eliminohej. Kjo edhe falë vënies në dispozicion të të gjithë sporteleve nga ana greke dhe ajo shqiptare. Fenomeni i bllokimit të sistemit kompjuterik në doganën greke të Kakavijës, është pothuajse i përsëritshëm në periudha të ndryshme të vitit dhe kjo për palën greke konsiderohet normale. p.n