E Diel, 1 Nëntor 2026

Në protestë punëtorët e HEC në Kalivaç, 9 muaj pa paga

 

TEPELENE/ PIRO NASE

Punëtorët e ndërtimit të Hidrocentralit të Kalivaçit ngrihen në protesta për pagat. Ata thonë se nuk janë paguar që nga muaji mars, duke gjetur si zgjidhje të problemit vetëm braktisjen e punës. Përfaqësues të 50 punonjësve që merren direkt me ndërtimin e veprës më të re energjetike në jug të vendit kanë zhvilluar tubimin protestues para portës hyrëse të kompleksit të ndërtimit të hidrocentralit, duke paralizuar punën për gati 120 minuta. Akuzat e tyre kanë qenë të drejtpërdrejta ndaj firmës shqiptare të ndërtimit, CAE, e cila është bashkëpunëtore me firmën italiane, që ka marrë përsipër përfundimin e veprës hidrike. Ajo është parashikuar që të përfundojë vitin e ardhshëm, por me ritmet e tanishme, ky afat duket se do të shtyhet. Sipas njërit prej punëtorëve protestues, Bashkim Hazizaj, punëtorët kërkojnë pagesat, të cilat nuk janë marrë prej tyre që prej muajit mars të këtij viti. Vonesa e pagave mujore, sipas Hazizajt, nga drejtuesit e firmës shqiptare justifikohet me faktin e mosxhirimit të fondeve për ta prej investitorit italian. Punonjësit, mes të cilëve roje dhe manovratorë, ndonëse nuk kanë çuar në familjet e tyre asnjë kacidhe qysh prej marsit të këtij viti, vazhdojnë të punojnë në kompleksin ndërtimor të HEC-it të Kalivaçit, me shpresën se një ditë ato do të merren dhe kjo për ta është e sigurtë. Pjesa më e madhe e punëtorëve që protestuan dje vjen nga fshatrat Qesarat dhe Kalivaç në Tepelenë. Ata pohuan se protesta e djeshme ka qenë paqësore, ndërkohë që i kanë bërë apel Kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare, të influencojë tek investitori italian që të zhbllokojë fondet për marrjen e pagave të prapambetura. Punëtorët tregojnë dhe një fakt tjetër. Atë të shembjes më 6 mars të këtij viti të urës mbi lumin Vjosa, e cila funksiononte për kalimin e mjeteve të rënda që përcillnin materiale inerte për ndërtimin e pjesës anësore të digës. Shembja e urës mbahej e fshehtë derisa dje u bë publike për gazetën "Panorama" nga vetë punëtorët e ndërtimit të HEC-it të Kalivaçit.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e firmës nënkontraktuese shqiptare, "Salillari" sh.p.k., shprehen se punimet kanë ecur mirë, sipas kontratës që kjo firmë ka me firmën koncesionare italiane "Begeti Energy" s.p.a dhe përfaqësuesen e saj në Shqipëri, "Albania Beg Ambient" sh.p.k., Hidrocentrali i Kalivaçit parashikohet të ketë një kapacitet prej 100 megavat/orë dhe prodhimtari vjetore prej 360 milion kë/orë energji elektrike. Vlera e përgjithshme e projektit llogaritet rreth 75 milionë euro dhe sipas kontratës së koncesionit, firma italiane "Albania Beg Ambient" do ta ndërtojë HEC-in brenda 4 vitesh, ndërsa do të shfrytëzojë për 26 vjet. Punimet e hidrocentralit startuan në vitin 2004.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›