Inaugurohet qendra për personat me aftësi të kufizuara
DURRES - Përurohet në Durrës qendra për kujdes, strehim dhe rehabilitim të personave me aftësi të kufizuar. Me rastin e Ditës Botërore të personave me aftësi të kufizuar, kryeministri Sali Berisha konfirmoi vullnetin e qeverisë së drejtuar prej tij për të bërë më shumë në dobi të kësaj shtrese. Në këtë ceremoni kreu i qeverisë shoqërohej edhe nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha. Pasi vizitoi mjediset e qendrës së re, kryeministri ka përgëzuar personelin për punën e shkëlqyer si dhe ka i ka bërë apel ndërgjegjes qytetare për një përkujdes gjithnjë e në rritje ndaj kësaj kategorie të shoqërisë. Kryeministri tha se: "Qeveria ka investuar më shumë se çdo qeveri tjetër në Evropë në drejtim të integrimit të kësaj shtrese". Qendra e zhvillimit rezidencial që u përurua në qytetin e Durrësit ka një kapacitet ndihme që ofron mundësi strehimi e kujdesi për rreth 45 persona me aftësi të kufizuar. Investimi për funksionimin e saj kap shifrën e 33 milionë lekëve. Kjo qendër, dikur ish-zonë-industriale është rikonstruktuar plotësisht me një fond të Bankës Botërore. Kreu i qeverisë shmangu plotësisht deklaratat politike, duke premtuar vëmendje të veçantë të ekzekutivit për këtë shtresë. "Gjatë këtij mandati të qeverisë do të rriten nismat dhe investimet humanitare në dobi të kësaj kategorie. Të gjitha nismat për mbështetje në këtë fushë do të kenë interes të veçantë për qeverinë", deklaroi kryeministri Berisha. Në Qarkun Durrës-Krujë numërohen mbi 1 mijë persona që përfshihen në grupet e ndryshme të invaliditetit. o.u