E Diel, 1 Nëntor 2026

AI: Beogradi dhe Prishtina të ndriçojnë fatin e të zhdukurve



Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, u ka bërë thirrje autoriteteve në Serbi dhe në Kosovë, për të bashkëpunuar në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së vitit 1999. Në raportin me titull “Varrosja e së kaluarës - mosndëshkimi për zhdukjet dhe rrëmbimet me forcë në Kosovë”, me rastin e dhjetë vjetorit të përfundimit të luftës, theksohet dështimi i vazhdueshëm i autoriteteve në Serbi dhe Kosovë për të hetuar zhdukjet dhe rrëmbimet me forcë dhe për të sjellë autorët e krimeve para drejtësisë. “Një dekadë pas përfundimit të luftës, rreth 1.900 familje nga Kosova dhe Serbia ende nuk dinë për fatin ose vendndodhjen e të afërmve të tyre të zhdukur. Gjatë dhjetë viteve të fundit ka pasur një dështim të vazhdueshëm të autoriteteve në Serbi dhe në Kosovë për t’u marrë me trashëgiminë e krimeve të luftës”,- citohet të ketë thënë Sian Xhons, ekspert për Ballkanin në “Amnesty International”. Sipas tij, dështimi për fillim të menjëhershëm të hetimeve në Serbi apo në Kosovë ka krijuar një kulturë të mosndëshkimit dhe dështim për të ofruar drejtësi. Në raport thuhet se më shumë se 3 mijë shqiptarë etnikë ishin viktima të zhdukjeve të dhunshme nga ana e policisë serbe dhe forcave ushtarake e paraushtarake. Rreth 800 serbë, romë dhe pjesëtarë të pakicave të tjera gjithashtu u rrëmbyen, siç thuhet nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumica pas përfundimit të konfliktit të armatosur në qershor të vitit 1999, nën sytë e forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja.

9 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›