E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozi i premton Thaçit: “Franca do ta ndihmojë Kosovën”



Blerina Olldashi
Presidenti francez Nikolas Sarkozi siguroi kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë pavarësinë e “pakthyeshme” e shtetit të ri si dhe anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian. Lajmi u bë i ditur nga presidenca franceze në përfundim takimit mes dy liderëve. Sarkozi ka përsëritur bindjen e tij se “Kosova ka prirje për të qenë, ashtu si i gjithë Ballkani, anëtare e Bashkimit Europian”. Lajmin e bënë të ditur mediat franceze pas takimit mes liderëve. Presidenti francez i ka kërkuar kryeministrit Thaçi që Kosova të bëjë të pamundurën për të gjetur një gjuhë të përbashkët me serbët. “Duhet që këto dy vende të gjejnë së bashku mënyra për të bashkëpunuar për kapërcimin gradual të problemeve të së kaluarës”,- theksoi presidenti francez. Sipas deklaratës së presidencës franceze, e rëndësishme është që dy vendet të gjejnë mënyra për të bashkëpunuar për kapërcimin gradual të problemeve të së kaluarës. Në takimin që u zhvillua në pallatin presidencial u bisedua edhe për thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes Francës dhe Republikës së Kosovës. Gjatë vizitës së tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi zhvilloi një drekë pune edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Francës, Bernard Kushner. Më pas kryeministri kosovar mbajti një fjalim në Qendrën për Studime dhe Hulumtime Ndërkombëtare (CERI), si dhe një konferencë shtypi në Qendrën për Media të Huaja. Në ligjëratën e tij, Thaçi tha se pavarësia e Kosovës ka sjellë stabilitet në rajon. Ai ka folur për pozitën e Kosovës përballë fqinjëve, duke theksuar se shteti i ri po ndërton raporte shumë të mira me të gjitha vendet e rajonit. Kryeministri ka folur për rolin e Francës në procesin e pavarësimit të Kosovës dhe për prezencën ndërkombëtare të saj në Kosovë. “Falë angazhimit të institucioneve vendase dhe ndërkombëtare, shqiptarët dhe serbët po ndërtojë shtëpi afër njëri-tjetrit në lagjen “Kroi i Vitakut” në Mitrovicë”,- ka deklaruar kryeministri. Ai i ka ftuar investitorët francezë që të investojnë në Kosovë. Kreu i ekzekutivit shoqërohet në këtë vizitë zyrtare nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni dhe nga zyrtarë të tjerë qeveritarë. Kjo është vizita e parë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Paris, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

9 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›