AI pohon se gjatë vitit 2009 janë ekzekutuar mbi 700 persona
Gjatë vitit 2009 janë ekzekutuar në mbarë botën sipas të dhënave të organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut "Amnesty International", më shumë se 700 persona të dënuar me vdekje. Megjithatë, në këto statistika mungojnë të dhënat për Kinën, vendin ku në vitet e kaluara gjithmonë ka pasur më shumë raste të ekzekutimit me vdekje. Ekspertët e Amnesty International kanë shprehur kritika për këtë, duke thënë se autoritetet e Kinës për këtë temë kanë dhënë shumë pak informacione, edhe pse qeveria kineze pohon se në vend ka gjithnjë e më pak ekzekutime. Por sekretarja e përgjithshme e Amnesty International në Gjermani, Monika Lüke, thekson se mungesa e të dhënave për Kinën, nuk do të thotë se atje është përmirësuar gjendja. "Fakti që nuk kemi të dhëna statistikore nga Kina, nuk mund të shihet si sinjal se në Kinë shohim përmirësime, siç thonë autoritetet kineze. Në qoftë se ka përmirësime, atëherë duhet t'i bëjnë publike të dhënat", theksoi ajo.