E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merkel skeptike për anëtarësimin e plotë të Turqisë në BE


Pas takimit me kryeministrin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kancelarja gjermane Angela Merkel do të zhvillojë në Stamboll edhe disa takime të tjera. Kancelarja do të marrë pjesë në një takim të forumit ekonomik turko-gjerman dhe në një diskutim të përbashkët me nxënësit. Në takimin me Erdoganin, kancelarja Merkel ka shprehur gatishmëri për negociata përsa i përket mundësisë së hapjes në Gjermani të shkollave në gjuhën turke. Kryetarja e CDU-së theksoi njëkohësisht se emigrantët turq në këtë vend duhet të mësojnë edhe gjuhën gjermane. Kancelarja Merkel edhe një herë u shpreh skeptike për mundësinë e anëtarësimit të plotë të Turqisë në BE. Merkel dhe partia e saj kristiandemokrate angazhohen për një partneritet të posaçëm të Turqisë me Bashkimin Europian. Lidhur me integrimin e Ankarasë në Bashkimin Europian, Merkel theksoi se ka një numër çështjesh për t'u zgjidhur e që lidhen me Qipron. Grekët qipriotë përfaqësojnë ishullin në Bashkimin Europian dhe kërkojnë hapjen e hapësirës ajrore e detare turke edhe për Qipron. Turqia nënvizoi se do t'i hapë rrugët për grekët qipriotë nëse Bashkimi Evropian i jep fund izolimit të turqve qipriotë. Irani dhe Qiproja kanë qenë dy nga temat kryesore ku Turqia e Gjermania kanë pasur qëndrime të ndryshme. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp mes kancelares, Angela Merkel dhe kryeministrit Erdogan, ky i fundit tha se Turqia nuk mbështet sanksionet shtesë për Iranin. Erdogan këmbënguli se duhet të vazhdohet me përpjekje diplomatike.
Merkel nga ana tjetër tha se dëshiron ta shohë Turqinë të votojë së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian për sanksione të reja ndaj Iranit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›