AIEA në Iran në fund të tetorit për
Pas bisedimeve të zhvilluara në Gjenevë disa javë më parë, sinjale të reja bashkëpunimi vijnë nga vizita në Teheran e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare për Agjencinë Atomike (AIEA), Mohammed El Baradei. "Falë një bashkëpunimi të mirë mes Iranit dhe agjencisë, të gjitha pyetjet e rëndësishme janë zgjidhur dhe nuk ngelet më asnjë dyshim për t‘u sqaruar", ka deklaruar i kënaqur Presidenti iranian Ahmadinexhad në një konferencë për shtyp. Por, ndryshe nga Ahmadinexhad, El Baradei ka pranuar se ngelen akoma shumë shqetësime dhe dyshime mbi qëllimet e vërteta të programeve bërthamore iraniane dhe për këtë arsye inspektimet do të vazhdojnë. Në radhë të parë, në takim u fiksuan datat e etapës tjetër të përballjes për diskutimet mbi programin bërthamor iranian. Më 19 tetor, përfaqësuesit e Iranit, Amerikës, Rusisë dhe Francës do të mblidhen në Vjenë për të diskutuar detajet e një marrëveshjeje që e lejon Teheranin të pasurojë në një vend tjetër uraniumin e nevojshëm për të ushqyer një reaktor kërkimor për qëllime mjekësore. Po ashtu, u vendos që më 25 tetor inspektorët e AIEA-s do të vizitojnë provincën iraniane afër qytetit të Qom-it, ku gjendet uzina për pasurimin e uraniumit, ekzistenca e së cilës u mbajt e fshehtë deri në muajin shtator. Por, pavarësisht diskutimeve të gjera mbi këtë çështje, kreu i AIEA, El Baradei, ka pranuar se ka ende vend për shqetësime, edhe pse nuk ka asnjë provë se Irani është duke zhvilluar armë bërthamore: "Nuk bëhet fjalë për çështje kontrollesh, bëhet fjalë për krijim e besimit dhe për këtë arsye janë duke u zhvilluar tratativa shumëpalëshe. Teherani ka teknologjinë e nevojshme për pasurimin e uraniumit, ciklin e prodhimit të tij, instalimet për qëllime kërkimore dhe ndërtimin e centraleve bërthamore". Ai pranoi se agjencia nuk ka prova konkrete mbi faktin se Irani dëshiron të krijojë armë bërthamore, por nuk mund të jetë i qetë dhe i sigurt me këtë situatë të krijuar. El Baradei tha se Republika Islamike duhej ta kishte informuar vetë Agjencinë për Ndërtimin e Uzinës së re, pikërisht në ditën që vendosën ta bënin këtë dhe jo shumë kohë më pas, siç ndodhi në të vërtetë. Drejtori i Agjencisë së OKB-së tha se marrëdhëniet me Iranin po shkonin nga konfrontimi, në transparencë dhe bashkëpunim. "Është një moment i rëndësishëm dhe një shpresë që Teherani të na ndihmojë të sqarojmë çdo lloj dyshimi që kemi pasur apo që kemi ende. Ne duam të vërtetojmë se qëllimet e tij janë vetëm paqësore", tha ai. Në këtë prizëm, ai shtoi se impenjimi i gjashtë fuqive të mëdha për të diskutuar për pasurimin deri në 20 për qind të uraniumit në një tjetër vend dhe për t‘ia rikthyer më pas Teheranit për ta përdorur në një reaktor kërkimi është një "shenjë bashkëpunimi", të cilës Irani duhet t‘i përgjigjet pozitivisht. "Të gjitha palët duhet të fillojnë të ndërtojnë një atmosferë besimi". Ai tha se shpresonte që Irani të ishte sa më transparent dhe shtoi se ishte e rëndësishme që inspektorët të siguroheshin se uzina përdorej për synime paqësore. Edhe kreu i agjencisë iraniane, Ali Akbar Salehi, i përshkroi bisedimet si të suksesshme. Uzina e re e pasurimit të uraniumit ndodhet në një zonë malore në afërsi të qytetit të Qom. Ajo mendohet se nuk do të jetë aktive për 18 muaj.