E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku po e çon dhuna Serbinë?

Vdekja këto ditë e shtetasit francez, Bris Taton, (28 vjeç) në klinikën e Beogradit, ku ai u shtrua pa ndjenja pasi u rrah dhe u godit keqazi në kokë nga një grup huliganësh beogradas në një kafene të Beogradit, më 17 shtator 2009, në prag të ndeshjes së Ligës së Europës mes Partizanit vendës dhe ekipit francez të Tuluzës, të cilën ai (Tatoni) kishte ardhur për ta ndjekur me një grup shokësh, shtron edhe një herë pikëpyetjen e madhe nëse në Serbi, edhe pasi kanë kaluar më se 10 vjet nga operacioni ushtarak i vendeve anëtare të NATO-s në këtë vend për shkak të Kosovës, a ka siguri për shtetasit e huaj, sidomos për ata të vendeve-anëtare të NATO-s. Vetë media serbe shkruan këto ditë se incidentet e fundit të dhunshme që kanë ndodhur në Serbi me pjesëmarrjen e shtetasve të huaj, sidomos të atyre perëndimorë, të sulmuar dhe të keqtrajtuar nga banka huliganësh vendës, kanë një ndikim mjaft negativ tek imazhi i Serbisë, duke e vështirësuar rrugën e saj drejt BE-së. Kjo, në radhë të parë, ka të bëjë me opinionin publik europian, të cilit media, qoftë serbe, qoftë ajo e huaj, i ofrojnë herë pas here, duke përfshirë edhe kohët e fundit, pamje të dhunës në rrugët e Beogradit dhe të qyteteve të tjera të Serbisë.

Diplomati grek me përvojë i Qendrës për Studimet Politike Europiane me seli në Bruksel, Vasilis Maragas, pas incidentit fatal që përfshiu të riun francez fatkeq në rrugët e Beogradit, vuri në dukje dje se "Serbia duhet të mendohet seriozisht dhe të bëjë shumë llogari kur është fjala për imazhin e vetë që ajo i dërgon botës. Ajo në të kaluarën është prezantuar në një dritë negative. Kurse tani politikanët perëndimorë, para opinionit publik europian, duhet të gjejnë arsye se përse Serbia duhet të hyjë në BE. Por ky opinion publik europian nuk besoj të përjetojë ndonjë ndjenjë pozitive kur sheh ose kujton skena të tilla të dhunshme në rrugët e Beogradit dhe kështu puna e këtyre politikanëve për euro-integrimin e Beogradit rëndohet", tha ai.

Në Qendrën e lartpërmendur të Studimeve Politike Europiane vihet në dukje se BE-ja është mjaft e ndjeshme kur është fjala për incidente të dhunshme, për më tepër fatale dhe për më tepër kur viktimat janë të huaj. "BE-ja nuk ka asnjë dëshirë që të ketë kthim në të kaluarën, nuk dëshiron që të shohë më skena dhune dhe konfliktesh jo vetëm në Serbi, por askund në rajonin e Ballkanit Perëndimor. E gjithë kjo provokon ndjenja negative", theksoi Maragasi, duke nënvizuar se "BE-ja në çdo marrëveshje të saj vë në dukje se çdo vend që synon të hyjë në BE, duhet të përmbushë kriteret e Kopenhagenit, që parashikojnë respektimin e të drejtave të njeriut, të jetës së njeriut dhe marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Çdo sulm kundër jetës së njeriut bart dhe përbën një mesazh mjaft negativ në Bashkimin Europian", theksoi ai.

Në BE shpresojnë se sulmet e fundit kundër shtetasve të huaj në Beograd janë incidente të izoluara që nuk besohet se do mund të marrin përmasa të gjëra. Po ashtu, në të shpresohet se Serbia do të marrë masat e nevojshme që incidente të tilla të mos ndodhin më në të ardhmen. Zv.kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me Europën Juglindore, Jelko Kacin, nga ana e tij, i dënoi me forcë aktet e dhunës në Serbi, midis tyre edhe këtë më të fundit me pasoja fatale, si rezultat i të cilit gjeti vdekjen shtetasi francez, Bris Taton. Ai vuri në dukje se ka ardhur koha që Serbia t‘i presë rrugën vandalizmit dhe dhunës që kanë motive politike. "Ka ardhur koha ekstreme që Serbia të marrë masa kundër mënyrave brutale të zgjidhjes së disa planeve dhe ambicieve politike", theksoi Kacin, duke hedhur poshtë kështu thëniet e zyrtarëve të lartë serbë se incidenti fatal me shtetasin francez në Beograd ishte thjesht një incident banal i një grupi huliganësh pa motive politike. Ai u kërkoi autoriteteve serbe që të nxjerrin menjëherë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për vdekjen e dhunshme të shtetasit francez.

M.Sinemati

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›