E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët, në dilemë për zgjedhjet e 15 nëntorit

Qytetarët serbë të Graçanicës kanë dilema lidhur me daljen ose jo në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit në Kosovë. Ndërsa disa serbë thonë se këto zgjedhje janë një rast i mirë për ta, kurse të tjerë presin shenja nga Beogradi, për të dalë në zgjedhje ose jo, ka edhe nga ta që mendojnë se Beogradi duhet t‘i lejojë qytetarët serbë të Kosovës të vendosin vetë lidhur me këtë çështje. Serbët ende nuk janë të sigurt se a do të dalin për të votuar në zgjedhjet lokale të Kosovës, të cilat pritet të mbahen më 15 nëntor dhe ata presin një shenjë nga Beogradi. Kështu thonë disa qytetarë serbë të Graçanicës, por ekzistojnë mendime se Beogradi duhet t‘ua hapë rrugën serbëve të Kosovës që ata të vendosin vetë lidhur me daljen ose jo në këto zgjedhje.

Bojan Zhiviq thotë se dalja e serbëve në zgjedhjet lokale do të varet tërësisht nga Beogradi. "Do të dalim në zgjedhje ndoshta në rast se ata tanët, lart në Beograd, na thonë ashtu dhe vendosin ashtu. Nëse kjo gjë do të ishte e mirë për ne, atëherë ne me siguri se do të dalim". "Por, nëse ata lart, në Beograd, nuk vendosin dhe nëse nuk na japin ndonjë shenjë se duhet të dalim, atëherë nuk do të marrim pjesë në votime", shprehet Zhiviq.

Ndërkaq, Mile Gjorgjeviq pohon se dalja në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit është një rast i mirë për serbët e Kosovës. "Unë mendoj se ky është një rast, por a do të dalim në zgjedhje apo jo, këtë do ta shohim më vonë. Nëse dalin qytetarët e tjerë të Graçanicës, atëherë do të dalim edhe ne, por në të kundërtën nuk do të ketë asgjë", thotë Gjorgjeviq.

Ndërsa, Dobrilla Maksimoviq thotë se është e pasigurt nëse do të dalë të votojë në zgjedhje. "Nuk e di se a do të dal në votime. Nuk e di se a do të dalin edhe të tjerët. Nuk jam e sigurt, sepse nuk e di se a do të ndryshojë diçka për të mirë, apo ndoshta do të jetë edhe më keq se deri më tani", thotë zonja Maksimoviq.

Por, Jefta Akshiq, thotë se është paradoksal fakti që numri prej 22 subjekteve politike serbe të paraqitura për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të Kosovës, sipas tij, është më i madh se numri i subjekteve politike që ishin paraqitur për zgjedhjet lokale të organizuara nga Serbia. Ai thekson se te serbët ekziston gatishmëria për të dalë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, por edhe frika.

Ngjashëm mendon edhe Radoslav Zlatanoviq. Sipas tij, askush nuk duhet t‘ua imponojë serbëve të Kosovës mënyrën e veprimit, por ata duhet t‘i lënë që të vendosin vetë. "Në bazë të natyrës së çështjes, unë mendoj se është logjike që të lejohen të vendosin vetë. Unë do të isha për një zgjidhje, e cila do të çonte drejt bashkëpunimit", përfundon Zlatanoviq.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›