AISS mbledh krerët e shtetit dhe ambasadorët
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mori pjesë dje në Forumin me temë “Politika e Brendshme dhe e Jashtme e Shqipërisë për vitin 2008”, të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS). Në këtë forum merrnin pjesë gjithashtu përfaqësues të Trupit Diplomatik, politikanë të forcave të ndryshme, të institucioneve të pavarura, drejtues të universiteteve, akademikë, përfaqësues të organizatave jofitimprurëse, të biznesit, medias etj. Drejtori Ekzekutiv i AIIS, Albert Rakipi, duke falënderuar presidentin Topi për pjesëmarrjen në këtë forum, ka nënvizuar rëndësinë e vizionit dhe rolit të kryetarit të shtetit në politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit tonë si institucioni që qëndron mbi palët me rolin e tij katalizator e nxitës në çuarjen përpara të proceseve demokratike e integruese të Shqipërisë. Në mbyllje të Forumit, kryetari i Bordit Ekzekutiv të Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, Besnik Mustafaj, e ka falënderuar presidentin Topi për paraqitjen e një vizioni të qartë të zhvillimeve të brendshme e të jashtme të vendit, por edhe të angazhimit permanent dhe aktiv të Institucionit të Presidentit në proceset demokratike të Shqipërisë dhe forcimin e rolit të saj jashtë kufijve nëpërmjet komunikimeve intensive me faktorin ndërkombëtar.
8 Shkurt 2008