Rritja e çmimeve, nxehen gjakrat në Kuvend mes pozitës dhe opozitës
Seanca parlamentare dominohet nga kërkesat e deputetëve të majtë për ndërhyrjen e qeverisë në treg për të kontrolluar çmimet. Braçe: ”Kjo qeveri është e Punëve të Jashtme”
Erald Kapri
Rritja e kostos së jetës ka qenë lajtmotivi i sulmeve të radhës së opozitës në Kuvend, e cila ka kërkuar nga qeveria e djathtë që të mbajë çmimet nën kontroll. Seanca e djeshme parlamentare është dominuar nga diskutimet 5-minutëshe të deputetëve të majtë, të cilët njëzëri kërkuan një ndërhyrje mbi situatën e krijuar. Rritja e çmimeve të mallrave jetike për konsumatorin shqiptar është cilësuar nga opozita si një dështim mbi politikat ekonomike të qeverisë, e cila po godet shtresat e varfra dhe anti të djathta. Njëkohësisht, disa deputetë të maxhorancës kanë bashkëngjitur zërin e tyre përkrah opozitës, por mungesat e mëdha në karriget e qeverisë, ku ndodheshin vetëm tre ministra, ka bërë që debati të dominohet nga opozita. “Qeveria duhet të ndërhyjë. Kjo qeveri ka ardhur në pushtet me premtime dhe ministrat të dalin dhe të pyesin qytetarët dhe fshatarët, pasi kanë marrë votat. Kush ministër të rrihet në shumë nga fshatarët dhe qytetarët, ai të hiqet nga kabineti”, - tha deputeti Lesi. Mungesa e kryeministrit Berisha në sallë, si rezultat i vizitës disaditore në Japoni, është komentuar si mungesë ndjeshmërie e këtij të fundit mbi problemet e brendshme. Erion Braçe, numri dy i socialistëve në Kuvend, kërkoi edhe dorëheqjen e qeverisë. “Qeveria ‘Berisha’ është qeveria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Është më mirë që kjo qeveri të ikë sesa të përballemi me qytetarët në dyert e këtij Parlamenti”, - tha Braçe. Qëndrimi politik i ashpër i deputetit Braçe ka nxitur edhe reagimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. “Kur kryeministri sjell 100 milionë dollarë është pjesë e jashtme dhe e brendshëm, kur flitet për Kosovën është politike edhe e brendshme edhe e jashtme, kur flitet për NATO-n është politikë e jashtme dhe e brendshme si dhe kur flitet për MSA-në është politikë e brendshme edhe e jashtme. Unë kam përgëzuar edhe kryetarin tuaj. Për 5 milionë dollarë shkoi në Kuvajt. Bravo i qoftë”, - reagoi kryetarja Topalli.
Reagimet
Siparin e diskutimeve e ka nisur deputeti i majtë i zonës së ish-Bllokut të Tiranës, Musa Ulqini, i cili theksoi se një çmim buke i lartë tregon dështimin e reformave të qeverisë. Krahas tij kanë diskutuar edhe deputetë të tjerë si Alfred Dalipi apo edhe Genc Juka nga e djathta. “Para pak muajsh çmimi i vajit ishte 130 lekë, ndërsa dje ishte 250 lekë. Mos flasim pastaj për çmimin e bukës, ku në disa qytete dhe Tiranë po shkon deri në 130 lekë”, - tha Dalipi. Njëkohësisht opozita ka ripërsëritur kërkesën e saj mbi një interpelancë me kryeministrin Sali Berisha mbi këtë situatë në vend. Rendimi i jetesës së qytetarëve shqiptarë konsiderohet në bllok nga opozita si një dështim politik dhe qeverisës nga koalicioni i djathtë, i cili qeveris vendin prej mbi 2 vitesh.
Qeveria
Seanca e djeshme parlamentare, edhe pse pati mungesën e tre të katërtave të Ekzekutivit, në sallë ishte i pranishëm ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, i cili është shprehur se në këtë situatë ka ndikuar tregu botëror. Nikoll Lesi i kërkoi qeverisë nxitjen e mbjelljes së drithërave, por kjo mundësi është përjashtuar nga ministri Gjana. “Sot, edhe sikur të dyfishohet mbjellja e sipërfaqeve me drithë, përsëri do të duheshin që për nevojat e vendit të importohen 50 për qind e kërkesave. Pra në këtë kuptim nuk duhet kuptuar që rritja e sipërfaqeve me drithëra do të zgjidhte problemin. Njëkohësisht se nuk mund ta privojmë fermerin shqiptar nga rritja e çmimeve. Fermeri nuk mund ta shesë me çmime më të ulëta se importi, se çfarë kuptimi ka pastaj”, - tha ministri Gjana. Javën e ardhshme pritet që kryeministri Berisha të jetë në një interpelancë të gjatë me deputetët e opozitës mbi mundësinë e ndërhyrjeve për kontrollin e çmimeve në treg.
8 Shkurt 2008