Presidenti Topi: “Rritja e çmimit të bukës, politika të dalë nga frazeologjia”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka shprehur shqetësimin e tij publik për rritjen e çmimit të bukës dhe ka ftuar të gjithë aktorët e politikës shqiptare, specialistët dhe profesionistët e fushave të ndryshme, për të kontribuar në zgjidhjen e këtij problemi jetik dhe për t’i nxjerrë shqiptarët nga varfëria ekstreme. Gjatë fjalës së tij në forumin “Politika e Jashtme dhe e Brendshme e Shqipërisë për vitin 2008”, të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, presidenti Topi ka folur për çështjet e aktualitetit shqiptar, ku është ndalur veçanërisht edhe në krizën e çmimeve, sidomos atë të rritjes së bukës. “Sot jemi në një moment, për të shtuar një koment të shkurtër, kur sigurisht nuk mund të flitet vetëm me nota pozitive për ekonominë, sigurisht flasim me nota pozitive për tendencën. Sot ka një debat shoqëror dhe për t’u orientuar te fraza e parë, me të cilën fillova fjalën time, që këto forume kanë rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë ne, për politikanët, për parlamentarët, për njerëzit që merren me politikën e jashtme, për ekonomistët, për akademikët, por duke iu referuar edhe një debati në terrenin e thjeshtë shoqëror, duket që sot ka edhe probleme të natyrës akute, që për të dalë nga frazeologjitë e fjalimeve që kanë të bëjnë me tendencat e ekonomisë, nuk ka se si të shkëputemi nga ky lloj debati që diskutojmë sot dhe që ka të bëjë me çmimin e një elementi bazë e jetësor sikurse është buka. Që të mos kalojmë dhe ta bëjmë diskutimin një terren shumë teorik dhe akademik, ka shumë rëndësi që në forume të tilla të bëjmë kombinimin e asaj që është tendencë e ekonomisë, që është mjaft pozitive, por edhe mjaft elementë që politika dhe shteti në radhë të parë kanë nevojë ta marrë në konsideratë dhe të japë zgjidhje afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata”, - tha numri një i Republikës së Shqipërisë. Topi, gjatë fjalës së tij, është ndalur në çështjen e reformës zgjedhore, ku ka theksuar rëndësinë e saj dhe i ka bërë apel klasës politike shqiptare që të nxitojë për realizimin e kësaj reforme shumë të rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE”, - tha ai. Presidenti i Republikës ka kërkuar nga strukturat shtetërore që të punojnë më fuqishëm për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, pasi 15 vendet që e kanë ratifikuar atë nuk janë të mjaftueshme. “Ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit vetëm nga 15 vende anëtare është mjaft inkurajues, por i pamjaftueshëm. Të gjitha strukturat e shtetit tonë duhet të punojnë që ratifikimi nga vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian të përfundojë mundësisht brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2008 e më pas të kërkohet statusi i vendit kandidat, për të cilin jemi mëse të përgatitur”, - deklaroi presidenti Bamir Topi.
8 Shkurt 2008