PD-PDR marrin pjesë në mbledhjen e Partive Popullore Europiane
Partia Demokratike, anëtare me të drejta të plota në Byronë Politike të Partive Popullore Europiane, ka marrë pjesë në mbledhjen e kësaj të fundit në Madrit të Spanjës. PD-ja u përfaqësua në këtë takim me zëvendëspresidentin e Grupit Parlamentar të Partive Popullore Europiane në KE, Aleksandër Biberaj, me Gerti Bogdanin dhe Tritan Shehun, deputetin e PDR-së. Në axhendën ditore një vend të rëndësishëm ka zënë edhe çështja e Kosovës, si një çështje e mirëfilltë europiane. Mbledhja e byrosë së partive të djathta është shoqëruar me debate, por fryma mbizotëruese ka qenë tepër pozitive. Partitë Popullore Europiane përshëndetën misionin e Bashkimit Europian në Kosovë si dhe i bënë thirrje BE-së që të jetë e unifikuar për Kosovën dhe të flasë me një zë të përbashkët. Qëndrimi shqiptar ka qenë në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, pavarësi që do të shpallet shumë shpejt dhe që do të njihet nga SHBA dhe Bashkimi Europian. Konkluzioni i së djathtës europiane ka qenë se pavarësia e Kosovës do të jetë një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan.
8 Shkurt 2008