E Diel, 1 Nëntor 2026

Çështja “Sollaku” rikthen përplasjet mes politikës “konsensuale”

Opozita ka kërkuar shpjegime nga ministri i Drejtësisë: ”Sollaku nuk ka pasur bazë ligjore për të vepruar mbi ekstradimet”
Erald Kapri

Çështja “Sollaku” vazhdon të jetë ende pjesë e nxehtë e politikës shqiptare. Kuvendi nisi dje shqyrtimin e marrëveshjes së përbashkët me shtetin italian në lidhje me ekstradimet e kriminelëve, por shqyrtimi i saj ka ndezur reagimin e opozitës. Nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Erion Braçe, kërkoi një shpjegim nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, se pse ka munguar kjo marrëveshje më parë si dhe mbi ç’bazë janë ngritur akuzat e maxhorancës kundër ish-kryeprokurorit kur një marrëveshje mes dy palëve nuk ka ekzistuar për shkëmbimin e kriminelëve. Braçe riktheksoi se raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Theodhori Sollakut pretendonte se ish-kryeprokurori ka ndaluar ekstradimet. “Ju lutem më shpjegoni, zoti ministër, se si ka mundësi që ish-kryeprokurori paska ndaluar ekstradimet kur ne nuk paskemi pasur një marrëveshje dypalëshe për këtë çështje me Italinë”, - tha Braçe. Kërkesa e opozitës është shqyrtuar nga ministri Alibeaj, i cili komentoi se ish-kryeprokurori ka penguar urdhërarrestet ndërkombëtare.
Përgjigjja
Alibeaj kundërshtoi pretendimet e opozitës në lidhje me akuzat e pabaza mbi Sollakun. “Ju thatë se ky Kuvend ka akuzuar qytetarin Theollori Sollaku, gjatë periudhës kur ai ishte në funksionin e vet si funksionar i Prokurorisë së Përgjithshme, se ka ndaluar ekstradimet ose se i ka penguar ato, por kjo nuk është absolutisht e vërtetë”, - u shpreh Alibeaj. Përgjigjja e ministrit të Drejtësisë duket se nuk ka bindur opozitën, e cila nëpërmjet Erion Braçes ka kërkuar specifikimin e akuzave. “Akuza që i është bërë ish- prokurorit të Përgjithshëm ka qenë se ka penguar urdhërarrestet ndërkombëtare, që do të thotë se urdhërarrestet ndërkombëtare për qytetarët shqiptarë, që kanë thyer rregullat jashtë territorit të Shqipërisë, nuk janë ekzekutuar asnjëherë. Çështja e ekstradimit është jashtë procedimit penal dhe këtu bëhet fjalë kur ka një vendim gjykate të huaj ose shqiptare, që nuk është ekzekutuar për shkak se i dënuari është jashtë territorit ku do të vuajë dënimin”, - tha në përgjigje të Braçes ministri Alibeaj.
Marrëveshja
Kryeministri Sali Berisha dhe ai italian Romano Prodi firmosën në Tiranë, me rastin e vizitës së këtij të fundit, marrëveshjen mbi ekstradimin e kriminelëve për t’u gjykuar mbi veprat penale. Sipas ministrit të Drejtësisë, Alibeaj, kjo marrëveshje do të lehtësojë procedurat si dhe do të rrisë efikasitetin në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve negative në përgjithësi. “Marrëveshja, e cila po lidhet ndërmjet dy shteteve fqinje, Shqipërisë dhe Italisë, ka të bëjë pikërisht me lehtësimin e procedurave për të dënuarit për krime të ndryshme. Këto konventa janë lidhur në kuadër të Këshillit të Europës dhe njihen si konventat më të mira aktuale. Dy konventat e nënshkruara deri tani midis dy shteteve fqinje kanë të bëjnë me transferimin e procedurave atje ku është i dënuari ose e kundërta, ekstradimi, që do të thotë të dërgosh të dënuarin atje ku ndiqen procedurat”, - tha Alibeaj. Ndërkohë parashikohet që Prokuroria Shqiptare pritet të ketë një lehtësi në procedurat e ndjekjes penale ndaj individëve me probleme ligjore. “Shumë qytetarë shqiptarë në Itali kanë gjetur një mënyrë joligjore për të jetuar dhe për këtë arsye Prokuroria Shqiptare dhe sistemi i ndjekjes penale në Shqipëri është ndodhur në një vështirësi që kërkon kosto të madhe dhe kapacitete njerëzore. Kjo marrëveshje synon që procedurat të bëhen më të lehta, më të shpeshta dhe më efikase”, - tha Alibeaj mbi rëndësinë e marrëveshjes. Opozita reagoi pozitivisht në lidhje me këtë marrëveshje mes dy shteteve fqinje dhe deklaroi se do të votojë pro ratifikimit të saj. Kuvendi vendosi të votojë në unanimitet në seancën e ardhshme të ditës së hënë projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, si shtesë e Konventës Evropiane për Ekstradimin e 13 dhjetorit 1957 dhe Konventës Europiane për ndihmën juridike për çështjet penale, të 20 prillit 1959, që ka si qëllim të lehtësojë zbatimin e tyre”.

8 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›