E Diel, 1 Nëntor 2026

AK: Dy shtetet shqiptare të parët për korrupsion në rajon

TIRANË- Aleanca Kuq e Zi reagon pas publikimit të indeksit të perceptimit të korrupsionit për vitin 2011 nga Trasnparency International, për luftën kundër korrupsionit. AK shprehet se kjo është një situatë skandaloze në të cilën ndodhet shteti shqiptar. Aleanca Kuq e Zi deklaron se është e papranueshme që pas 99 vjet pavarësi klasa politike të na lërë të 99-tët duke na barazuar dhe renditur përkrah shteteve si India, Kiribati, Tonga dhe Swaziland.
“Sot është një nga momentet më të errëta të historisë politike të shtetit Shqiptar i cili pas 99 vjet pavarësi ka mbetur i 99-ti në nivelin e korrupsionit”, thuhet në deklaratën e AK.

Aleanca Kuq e Zi thekson se kombi shqiptar po përjeton në dy shtetet e saj të pavarura në Shqipëri dhe Kosovë një nga momentet më të vështira, të cilat e turpërojnë në arenën ndërkombëtare.
“Viti 2011 padyshim që është një faqe e zezë e historisë politike shqiptare pasi ka rreshtuar Tiranën dhe Prishtinën zyrtare dy të fundit të Evropës në llumin e korrupsionit politik sipas raportit të sotëm të Transperency International, si dhe dy të fundit në Evropë në procesin e integrimit në BE, kjo sipas progres raportit të Komisionit Evropian”, thekson më tej AK.

Sipas AK, Shqipëria nuk mund të bëhet me këtë klasë politike të korruptuar. “Ne premtojmë një Shqipëri tjetër, jo të nëntëdhjetenëntëve, të cilët i bënë të 99-ta Shqipërisë duke e lëne të 99-tën në renditjet botërore”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›