Korrupsioni, TIA: Shqipëria zbret 8 vende, renditet e 95-ta
Shqipëria renditet në vendin e 95-të në listën e indeksit global të perceptimit të korrupsionit. Raporti, i publikuar nga Transparency International Albania, thekson se vendi ynë nuk ka shënuar përmirësim krahasuar me një vit më pare dhe korrupsioni ka shënuar rritje.
Në një konferencë për shtyp TIA thekson se Shqipëria ka marrë një vlerësim prej 3.1 pikësh nga 3.3 pikë që ka qënë në vitin 2010. Sipas TIA-s vendi ynë ka rënë 8 shkallë më poshtë në renditje pasi vitin e kaluar Shqipëria renditej në vendin e 87-të.
TIA thekson gjithashtu se vendi ynë mban vendin e parafundit në indeksin e korrupsionit në rajon ndërsa ndiqet vetëm nga Kosova e cila vlerësohet vetëm me 2.9 pikë.
Edhe kësaj radhe, Kosova renditet e 112-ta në mesin e 183 shteteve të botës nga Transparency International, së bashku me Egjiptin, Moldavinë, Senegalin, Vietnamin dhe Algjerinë.
Edhe vitin e kaluar, Kosova ishte renditur më poshtë në krahasim me vendet e rajonit, duke u klasifikuar në vendin e 110-të.
Ndërsa Kroacia e Mali i Zi ndajnë vendin e 66-të, Maqedonia renditet e 69-ta, Serbia e 86-ta dhe Bosnjë e Hercegovina hyn në vendin e 91-të.
Në nivel global, Zelanda e Re ka zënë vendin e parë në raportin e Transparency International, kurse në katër vendet e fundit janë renditur Afganistani, Somalia, Korea Veriore dhe Birmania.