AK tubim në Vlorë, Spahiu: Flamuri, drejt Kosovës
Qindra aktivistë të Aleancës Kuq e Zi kanë zhvilluar një tubim në qytetin e Vlorës me rastin e shpalljes së Pavarësisë 99 vjet më parë. Kreu i kësaj aleance, Kreshnik Spahiu ka sulmuar politikën shqiptare duke e akuzuar për mosvazhdim të rrugës së paraardhësve të tyre.“Ëndrra dhe aspirata e shqiptarëve për bashkim kombëtar po përdhoset nga politika shqiptare që po hedh në treg territoret e saj. Kush kryeministër në Shqipëri ka qenë si Luigj Gurakuqi?” - tha Spahiu. Më tej, ai theksoi se AK do të vazhdojë rrugëtimin e saj në Prishtinë, duke bashkuar të gjithë shqiptarët “Kuq e Zi” dhe injoruar çdo flamur politik që tenton të shkombëtarizojë popullin shqiptar. Kreshnik Spahiu tha se në këtë mënyrë do të realizohet ëndrra e vërtetë e Ismail Qemalit, rrugëtimi i flamurit drejt Kosovës, duke marrë fund kështu ata që shkatërruan Shqipërinë. “Në këta 99 vjet ndryshuan territoret. 99-shat e Shqipërisë u bëjnë të 99-tat shqiptarëve. Nuk vazhduan ëndrrën e Ismail Qemalit, kemi kudo shqiptarë që vriten, qeveritarë që luajnë kumar, piramida, mafia, çka na lë të fundit në Europë. Nuk ishte kjo ëndrra e Ismail Qemalit. Ne jemi sot në këtë rrugëtim. Flamuri kuqezi nga sot deri më 28 Nëntor 2012 do rrugëtojë drejt Prishtinës. Viti 2012, fundi i ëndrrës së atyre që shkatërruan ëndrrën e shqiptarëve”, - tha Spahiu. Në këtë mënyrë, Vlora ka hapur dje siparin e festimeve të Pavarësisë. Rrugët e qytetit janë mbushur me të rinj e të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit e Kosova, që të veshur me ngjyrat kuq e zi kanë marshuar me thirrjet: “Shqipëria etnike”, thirrje këto që janë dëgjuar shumë herë në shesh.