Rritja e çmimit të ujit, tarifat e reja që propozohen
Ujësjellësi kërkon rritje të re të çmimit të ujit të pijshëm. Për konsumatorët familjarë propozohet që çmimi të rritet me 22 lekë për metër kub. Nuk ndryshon tarifa për furrat e bukës, ndërkohë që rritja më e madhe do të jetë për subjektet që prodhojnë pije alkoolike, freskuese, ujë të ambalazhuar dhe për pishinat
Vitin e ardhshëm kryeqytetasit do të paguajnë gati dy herë më shumë për çdo metër kub ujë që do të harxhojnë. Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës i ka kërkuar Entit Rregullator të Ujit një rritje të re të çmimit të ujit të pijshëm. Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, Sahit Dollapi ka zyrtarizuar dje atë që përflitej prej kohësh, duke i kërkuar ERU-së zyrtarisht rritjen e çmimit të ujit. “UKT propozon rritjen e çmimit për popullatën vetëm me 22 lekë/m3, ose thënë ndryshe, çmimi i propozuar prej nesh për popullatën është 55 lekë për 1 mijë litra ujë. Një rritje më e madhe propozohet për entet buxhetore, për të cilat çmimi rritet me 40 lekë/ m3 dhe me 30 lekë/m3, po kështu propozohet rritja e çmimit për entet private. Ndërsa për prodhimin e pijeve alkoolike, pijeve freskuese dhe ujit të ambalazhuar, ne propozojmë rritjen më të madhe me 60 lekë/ m3”, - deklaroi Dollapi. Sipas tarifave të reja të propozuara nga Ujësjellësi, rritja më e madhe është kërkuar për kategorinë “klientë të veçantë”, ku përfshihen subjektet që prodhojnë pije alkoolike, freskuese, ujë të ambalazhuar dhe pishinat. Ashtu si një vit më parë, Ujësjellësi i Tiranës ka përjashtuar nga propozimi për rritjen e çmimit të ujit furrat e bukës, ku mbetet i pandryshuar, 95 lekë/ m3. Drejtori i UKT-së, Sahit Dollapi tha se “kërkesa është e drejtë dhe e ndershme sepse, nga njëra anë, çmimi i ri që propozohet barazohet me koston e prodhimit të ujit dhe, nga ana tjetër është i përballueshëm nga popullata dhe kategoritë e tjera konsumatore”. Më konkretisht, sipas tarifave që janë propozuar nga Ujësjellësi i Tiranës për Entin Rregullator të Ujit, kërkohet që për popullsinë e thjeshtë një metër kub ujë të shkojë nga 33 lekë në 55 lekë, për entet buxhetore nga 110 lekë për metër kub të shkojë në 150 lekë, për entet private nga 120 lekë në 150 lekë, për prodhimin e pijeve alkoolike nga 140 në 200 lekë për metër kub, për furrat e bukës çmimi të mbetet i pandryshuar me 95 lekë për metër kub dhe për shitjen me shumicë të dyfishohet nga 10 lekë në 20 lekë për metër kub. Rritjen e çmimit, drejtori i UKT-së, e argumentoi të nevojshëm në vizionin e projekteve që kjo ndërmarrje ka për të ardhmen, duke theksuar se “në vitin 2013, qytetarët e Tiranës do mund të heqin depozitat në shtëpitë e tyre, pasi UKT do mundësojë furnizimin me ujë 24 orë”. Duke bërë një krahasim mes treguesve të vitit 2009 , kur erdhi në detyrë dhe vitit 2010, gjatë të cilit u aplikua një çmim i ri i ujit, drejtori i Ujësjellësit të Tiranës tha se ndryshimi është i dukshëm, por jo i mjaftueshëm, sepse objektivi i UKT-së është furnizim me ujë pa ndërprerje për të gjithë zonën që mbulon. Sipas të dhënave të Ujësjellës-Kanalizimeve gjatë dy viteve të fundit është investuar ndjeshëm në rrjetin transmetues dhe të shpërndarjes së ujit, duke rritur orët e furnizimit me ujë në mënyrë të pandërprerë nga 12 orë në 16 dhe 18 orë në ditë.
Si ndryshojnë tarifat e ujit
Konsumator familjar ishte 33 lekë/m3 bëhet 55 lekë/ m3
Institucione buxhetore ishte 110 lekë/m3 bëhet 150 lekë/m3
Ente private ishte 120 lekë/m3 bëhet 150 lekë/m3
Klientë të veçantë ishte 140 lekë/m3 bëhet 200 lekë/m3
Furra buke nuk ka propozim për rritjen e çmimit, 95 lekë/m3
Shitje uji me shumicë ishte10 lekë/m3 bëhet 20 lekë/m3