E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKCE, mbërrin nënshkrimi elektronik



Lamtumirë shkresave e vulave në institucione apo veprimtari private! Tashmë edhe në Shqipëri është gati mundësia e nënshkrimit elektronik të të gjitha materialeve që përgatiten në kompjuter, pa u firmosur me stilolaps e vulosur me vulë të njomë, pa u protokolluar e shumëfishuar në kopje etj. Ky proces, i testuar me sukses në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga viti 1995 dhe i adoptuar në Gjermani dhe Itali më1997, tashmë është bërë funksional në gjithë pjesën e qytetëruar të botës. Ne Shqipëri ligji për funksionimin e një strukture kontrolluese për nënshkrimin elektronik është miratuar në shkurt 2008 dhe pak muaj më vonë, për këtë qëllim, ka dalë edhe urdhri i Kryeministrit. Aktualisht në Tiranë, nën varësinë e Ministrisë së Inovacionit dhe Teknologjisë se Informacionit dhe Komunikimeve (MITIK),që njihet ndryshe edhe si ministria e Genc Pollos, ka nisur nga funksionimi zyra e AKCE (Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik), drejtor i së cilës është zoti Sadi Hoti.
Sipas zotit Hoti, nënshkrimi elektronik i dokumenteve është një nga proceset e pashmangshme të zhvillimit të teknologjisë, që tashmë është provuar me sukses në shumë vende të botës dhe që ka për qëllim, apo më saktë zëvendëson nënshkrimin me dorë të dokumenteve duke i bërë të përshtatshëm për nisje elektronike dhe duke kursyer njëkohësisht kohë, punë njerëzore dhe materiale të ndryshme konsumi.
Sipas të njëjtit, ky novacion do të funksionojë sipas një rendi të tillë pune: Në Postën Shqiptare, që për momentin është i vetmi subjekt i regjistruar si ofrues shërbimi, do të blihet nga të interesuarit një certifikatë elektronike, apo ndryshe një program. Programi do të jetë me emrin e përdoruesit dhe do të mbajë të dhënat e tij. Ky program do të shkarkohet nga përdoruesi në kompjuterin e vet personal ose në një flash drive ose kartë elektronike dhe në momentin që ka bërë gati një shkresë për ta dërguar diku, për shembull në një ankand online, ai i vë certifikatën dokumentit dhe pastaj e nis. Ky dokument on line ka në vetvete elementë sigurie të atillë, që në çdo rast të tentativës për falsifikim, ndryshim të tekstit, certifikata elektronike tregon se dokumeti është prekur. Sipas Drejtorit të AKCE, roli i institucionit që ai drejton është mbikëqyrja, regjistrimi i shitësve të këtyre programeve dhe njëkohësisht legalizimi dhe kontrolli i tyre. Pra, vetëm ky regjistrim bën që produkti të ketë vlerë ligjore dhe të njihet si provë nga gjykatat. Zoti Hoti pohoi se produkti (programet) për përdorim nga klientë të ndryshëm janë bërë gati për shitje, por ende nuk është në dijeni të një shifre të vendosur për blerjen e tyre. Ai thotë se në Itali, për shembull, një certificatë elektronike (software) blihet afërsisht për 50-60 euro ndërsa kur përdoret flash drive apo kartë, lexuesi kushton rreth 15-20 euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›