Ministri Ljuis jep dorëheqjen pas skandalit
Ministri britanik i Thesarit, David Ljuis, i ngarkuari i Kryeministrit të ri britanik, David Kameron, për frenimin e deficitit buxhetor dha dorëheqjen pas publikimit të skandalit të shpenzimeve të tij. Kryeministri Kameron e zëvendësoi Ljuisin brenda 24 orëve me Deni Aleksander, një ish-ndihmës i kreut liberal-demokrat, Nik Kleg, i cili u largua nga posti i sekretarit skocez për të zëvendësuar Ljuisin, në një nga postet më të larta të kabinetit që kanë liberalë-demokratët. Largimi i Ljuisit, në më pak se tri javë pas formimit të Qeverisë, është një goditje për koalicionin qeveritar në Britani dhe skandali i parë që prek atë. Gazeta britanike “Daily Telegraph” ishte ajo që zbuloi se Ljuis ka përdorur fondet parlamentare për të paguar prej tetë vitesh qiranë e dy apartamenteve që i përkisnin të dashurit të tij.