E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy shqiptarë habisin stafin e Universitetit Madison në SHBA



TIRANE- Janë dy vëllezër, bij të një ish-diplomati shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, studentët e shkëlqyer që po habisin stafin mësimdhënës të Universitetit “James Madison”. Quhen Erjon e Boris Kozeli dhe 13 vjet më parë ishin pothuaj askushi mes bashkëmoshatarëve të tyre, pra ishin banorë të zakonshëm të lagjes 4 të Tiranës. Ndërsa tashmë, 13 vjet më pas, pasi kanë mbaruar një universitet në Shtetet e Bashkuara, janë në përfundim të studimeve në një universitet të dytë në Virginia, pikërisht në atë që mban emrin e një prej themeluesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ish-presidentit James Madison. Janë duke e përfunduar, sipas një metode që shumëkujt i duket befasuese, pra duke marrë dy vite akademikë njëherësh përgjatë një viti kohe fizike. Kjo është aventura amerikane e dy vëllezërve shqiptarë, apo ëndrra amerikane e plotësuar e tyre, gjithnjë sipas një historie nga ato që duken fantastike.
Erjoni dhe Borisi ishin respektivisht 14 dhe 13-vjeçarë, kur mbërritën në Shtetet e Bashkuara dhe ku i’u desh të përballeshin me rregullat e një tjetër jete, ku duhet të rinisnin shkollën me vështirësitë që lindin në një vend të huaj, ku praktikisht gjithçka nis nga e para, ku fillimisht ndihesh i huaj dhe i nënshtrohesh këtij fati. Por për tu ingranuar në jetën amerikane, dy vëllezërve u ka mjaftuar vetëm një vit. Vetëm një vit për të mësuar anglishten, vetëm një vit për tu dalluar për zellin e pazakontë për të studiuar. Për më tepër, në krye të këtij viti, Erjoni do të kishte një takim paksa të veçantë. Ai do të përzgjidhej për një vizitë në Shtëpinë e Bardhë, nga ku ruan si diçka të shtrenjtë, të fiksuar edhe në celuloid, një përqafim me zonjën e parë të vendit, Hillari Klinton. Një përqafim me simbolikë të veçantë, pasi Erjoni ka shkuar i veshur me kostum kombëtar shqiptar dhe me një qeleshe karakteristike, që paraardhësit tanë e kanë mbajtur në kokë prej shumë shekujsh, që nga veriu, deri në trevat më të jugut.
Aktualisht dy vëllezërit studiojnë për shkenca ekonomike (ekspertë për marrëdhënie ekonomiko-politikë ndërkombëtare), kanë përvetësuar mirë gjuhët frëngjisht dhe spanjisht dhe vazhdojnë të marrin dy vite universitet në një vit kohë reale. Një histori e ngjashme me atë të shqiptarëve të vjetër, që dikur shkonin në Perëndim apo në SHBA, duke i bërë vend vetes falë një vullneti dhe dëshire të papërmbajtshme për të qenë të barabartë dhe mundësisht më përpara përfaqësuesve të racave të tjera, sipas filozofisë së një gare, ku për të gjithë starti është i barabartë.
B. Ferhati

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›