E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në Mitrovicë, tension mes serbëve dhe shqiptarëve



Zgjedhjet lokale serbe në veri të Kosovës u shoqëruan me tensione të ashpra mes shqiptarëve dhe serbëve, të cilët janë qëlluar me gurë dhe sende të tjera të forta. Policia e Kosovës ka arritur të evitojë me sukses konfrontimin fizik mes tyre, duke shpërndarë të dyja grupet me gaz lotsjellës. Zgjedhjet serbe u mbajtën në veri të Mitrovicës të banuar me shumicë serbe dhe në Novobërdë, të banuar me popullatë të përzier. Në këto dy komuna në zgjedhjet e rregullta lokale serbe të vitit 2008 dështuan dhe u emëruan udhëheqës të përkohshëm. Sipas mediave të Kosovës, shqiptarët e anës jugore të lumit Ibër kishin paralajmëruar protesta për mbajtjen e zgjedhjeve të strukturave të Beogradit brenda territorit të Kosovës. Nga ana tjetër e lumit, serbët kanë provokuar duke u mbledhur në grupe dhe duke goditur me gurë dhe sende të tjera nga ana shqiptare. Një turmë e madhe shqiptarësh brohoriste “UçK, UçK” dhe këndonte këngën “Besa-Besë”. Ndërsa shqiptarët kishin tentuar të shkonin përtej urës ndarëse të qytetit, policia speciale e Kosovës u ka dalë përpara. Veteranët e UçK-së kishin paralajmëruar protesta të qeta kundër zgjedhjeve serbe, por ndërsa drejtuesit i tyre, Muharrem Xhemajli po mbante një fjalim para protestuesve, një pjesë e tyre morën rrugën në drejtim të urës së Ibrit. Xhemajli tha se ishin mbledhur për të kundërshtuar shkeljet e vazhdueshme që po i bëhen sovranitetit të Kosovës nga Serbia dhe se për këtë, fajtorë janë institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Ndërkohë serbët u mblodhën menjëherë më pas në anën tjetër të urës. Në mes të saj u vendosën forca të KFOR-it, në përpjekje për të kontrolluar situatën e tensionuar. Mediat raportojnë se ishin serbët që i janë afruar fillimit të urës në pjesën veriore, ndërsa shqiptarët kanë qëndruar rreth 20 metra larg urës. Në anën serbe është dëgjuar një alarm, i cili thuhet se është sinjal për t’u mbledhur sa më shumë protestues. Ka pasur raportime nga mediat se në pjesën veriore rreth orës 12:30 minuta kanë nisur të shtënat me armë automatike, por nuk raportohet për ndonjë të plagosur. është sulmuar një kameraman i RTK-së. Pjesëtarët e policisë speciale të EULEX-it dhe KFOR-i ishin vendosur si barrikadë mbi urën e lumit Ibër, për të mos lejuar afrimin e të dyja grupeve. “Policia e Kosovës dhe Njësia Speciale Operative kanë vënë kordonët e tyre me qëllim që të parandalojë grupet e njerëzve nga të dy anët e lumit Ibër, që të mësyjnë në drejtim të qendrës së urës. Sigurisht e tërë kjo situatë paraqet një tension më vete. I vetmi rast që policia është dashur të ndërhyjë ishte kur një bombol gazi lotsjellës, iu kthye turmës nga veriu (serbëve), pasi ata e kishin hedhur në drejtim të policisë, por fatmirësisht kjo nuk ka zgjatur shumë dhe situata është stabilizuar”, tha zëdhënësi i policisë, Besim Hoti. Protesta përfundoi rreth orës 14:00 pa asnjë të lënduar. EULEX-i dhe KFOR-i ende vazhdojnë të mbikëqyrin situatën. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se tashmë të dy grupet janë shpërndarë dhe situata është e qetë. Ura e Ibrit është e lirë për qarkullim. Nënkryetari i Partisë së Drejtësisë në Kosovë, Amir Ahmeti, ka deklaruar se lejimi i mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë paraqet shkelje të Kushtetutës së vendit. Sipas tij, zgjedhjet serbe të organizuara në veri të Kosovës do të mund të ndaleshin me një bashkëpunim të mirë mes institucioneve vendore, atyre ndërkombëtare dhe shteteve mike që e kanë njohur Kosovën shtet me Kushtetutën që ka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›