“Zihen” Veber dhe Vetel, fiton Hamilton
“Vetëvrasja” e Red Bullit u ka dhuruar makinave McLaren një ditë të paharrueshme. Luis Hamilton ka fituar çmimin e Madh të Turqisë, i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës, Xhenson Baton dhe nga piloti i Red Bullit, Mark Veber. Në xhiron e 41 të garës, australiani kryesonte bashkë me shokun e skuadrës, Sebastian Fetel: gjermani ishte gati ta parakalonte, por Veber i mbylli rrugën e për pasojë të dy pilotët dolën nga pista. Australiani u rikthye, ndërsa 22-vjeçari u detyrua të braktiste garën. Në vendin e katërt është pozicionuar shtatë herë kampioni i botës, Mikael Shumaker, i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës, Niko Rosberg. Ferrari duket e pashpresë me Felipe Masën në vendin e shtatë dhe Fernando Alonson në vendin e tetë. Edhe dyshja britanike e McLaren-it rrezikoi të bëhej protagoniste në një aksident pak xhiro pas asaj që ndodhi me Red Bullin, kur kampioni i botës në fuqi tentoi të parakalonte shokun e skuadrës. Por Hamilton u tregua i zoti për të ruajtur pozicionin e tij, duke fituar kështu garën e parë për këtë sezon.