KESH-i fillon rivlerësimin e aseteve para privatizimit
Korporata Elektroenergjetike do të nisë nga rivlerësimi i kapitaleve dhe aseteve të saj, procedurë të cilën synon ta realizojë para privatizimit. Për këtë qëllim, KESH-i do të zhvillojë një garë të hapur në datën 25 shkurt, ku fton kompanitë e specializuara për të afruar shërbimin e konsulencës, për të bërë rivlerësimin e aseteve të qëndrueshme të korporatës. Sipas KESH-it, “qeveria shqiptare ka marrë një kredi prej IDA-s, për projektin e prodhimit dhe ristrukturimit të sektorit të energjisë elektrike dhe ka si qëllim, të aplikojë një pjesë të pagesave të kësaj kredie nën kontratën e shërbimeve të konsulencës për kryerjen e testit të rënies në vlerë të aseteve". Aktivet e qëndrueshme të KESH-it janë vlerësuar më 31 dhjetor 2003, por këshilltarët e qeverisë kanë ngritur shqetësimin se vlera e aseteve të qëndrueshme të regjistruara nga KESH-i, nuk rakordon me vlerën e raportuesit. Në këto kushte, ka lindur nevoja e rivlerësimit të aseteve të qëndrueshme, ose të paktën, kryerjen e Testit të Rënies në vlerë të aseteve deri në 31 dhjetor 2007, me qëllim që të arrihet një vlerë e drejtë e aktiveve, sipas kërkesave që kanë standardet e raportimit ndërkombëtar. KESH-i kërkon të pajtojë një vlerësues të njohur për të bërë Testin e Rënies në vlerë. Në këtë test, përfshihen analizat e të ardhurave, të bazuara në një parashikim të përcaktuar për shpërndarjen e energjisë elektrike, analizat e shpenzimeve, kapitali punues, analiza e kapitalit investues, analiza e normës së zbritjes para taksave etj. Për këtë KESH-i fton të gjitha kompanitë konsulente që të shprehin interesin e tyre për këtë shërbim, por ato duhet të afrojnë profilin e tyre, kualifikimet, përvojën në vite, organizimi menaxherial dhe teknik etj. Ky konsulent, do të përzgjidhet sipas Udhëzimit standard për këtë vlerësim të Bankës Botërore.
12 Shkurt 2008