E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKEP njofton anulimin e tenderit per 3G

Gara për dhënien e licencës së tretë 3G në Shqipëri është mbyllur pa asnjë rezultat pasi të gjitha ofertat e propozuara kanë rezultuar më të ulëta se cmimi dysheme i vendosur nga qeveria. Cmimi i vendosur nga qeveria ishte 12,5 milionë euro,ndërkohë që dy kompanitë celulare në garë, Eagle Mobile dhe Plus Comunication kanë dhënë më pak oferta. Për këtë qëllim AKEP ka vendosur ta anullojë tenderin e së premtes dhe ka komunikuar se do të shpallë në një vendim të dytë tenderin e ri me një cmim tjetër. Ndërkohë kompania plus Comunication përmes drejtorit Ekzekutiv Z. Moni Buchnik ka argumentuar ofertën e ditës së premte duke thënë se “Ne konsiderojmë se barrierat për hyrjen në treg duhet të jenë në raport të drejtë me çmimet e mundshme fundore të këtij shërbimi.” Ai ka theksuar se një rikonsiderim i kësaj çështje në përshtatje me kushtet aktuale të tregut të telefonisë së lëvizshme nga autoritetet do të ishte zgjidhja më e mirë për tregun dhe konsumatorët. PLUS në vijim të qëndrimit të shprehur tashmë, në lidhje me zhvillimet në fushën e teknologjisë dhe shërbimeve 3G, e konsideron dhënien e licensave të tjera 3G si jetike për rritjen e konkurrencës, cilësisë së këtij shërbimi dhe ofrimit të çmimeve më të favorshme, në përfitim të plotë të konsumatorëve shqiptarë. PLUS ka ndërtuar dhe zhvilluar tashmë teknologjinë 3G, sistemin përkatës të tarifimit sikurse ka konfiguruar të gjithë platformat për t’i ofruar klientëve në një kohë të shkurtër pas licencimit, shërbimet e plota të 3G-së. Dhënia e licencës së 3G për operatorët e tjerë rrit konkurrencën, që sjell si pasojë produkte më të mira, gamë më të gjerë produktesh, penetrim më të lartë të shërbimit 3G në të gjithë territorin e vendit si dhe çmime më të favorshme për konsumatorin. Marrja e licensës 3G është gjithashtu një mundësi për të investuar në shërbime dhe produkte inovative, që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në mbështetjen e nismës për një Shqipëri dixhitale si dhe në përmirësimin cilësor të jetës së qytetarëve në tërësi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›