AKKP, 325 dosje për 6 muaj
Rreth 325 kërkesa janë trajtuar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier për periudhën gjashtëmujore janar-qershor 2009. Nga kërkesat e paraqitura është bërë e mundur ndjekja e tyre në zbatim të ligjit, duke i dhënë të drejtën e përfitimit të pronës ish-pronarëve, të cilët kanë pasur dokumentacionin e rregullt. Drejtoresha e AKKP-së në Qarkun e Fierit, Vasilika Hysi, tha se janë regjistruar në kohë plot 73 dosje për privatizimin e oborreve e trojeve, si dhe janë kompensuar financiarisht 12 persona nga 37 kërkesa të aplikuara për kompensim monetar. "Zyra Rajonale e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka trajtuar rreth 325 kërkesa për njohje, kthim dhe kompensim të pronave. Trajtimi i këtyre dosjeve është bërë në zbatim të ligjit nr. 9235 "për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronave". Kjo zyrë ka trajtuar gjithashtu 37 kërkesa për kompensim financiar dhe rreth 73 kërkesa për oborre në përdorim. Nga këto të fundit janë përfunduar 44 kërkesa, kurse për kompensimin financiar janë përfunduar së trajtuari 12 kërkesa dhe janë në vazhdimësi të tjerat", tha Hysi. Numri i kërkesave për kompensim financiar është 37, por për pjesën tjetër jemi ende në kohë. Afati përfundimtar është data 15 gusht, periudhë kjo kur do të mbyllet trajtimi i të gjithë pjesës tjetër të mbetur. Nuk mund të vendosim ne sesa janë me përgjigje pozitive, por janë disa kritere të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Nga kjo do të përjashtohen të gjithë ata që kanë marrë kthim apo kompensim të mëparshëm, të gjithë ata që kanë përfituar të drejtën e parablerjes, apo të gjithë ata që kanë përfituar me 7501", ka sqaruar drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për Qarkun e Fierit.