"Vejusha e zezë" godet sërish: viktima, një grua 60-vjeçare
Rishfaqet "vejusha e zezë" në Berat. Vetëm pak ditë më pas, insekti vdekjeprurës shënon viktimën e radhës. Burime nga spitali rajonal i Beratit bëjnë të ditur se një grua 60-vjeçare është paraqitur në repartin e urgjencës me shenja të dukshme klinike të helmimit nga "vejusha e zezë". Bajame Çela, banore e fshatit Sheqëz, në Komunën Lumas të rrethit të Beratit, është paraqitur në urgjencën e spitalit rreth orës 13.00 të ditës së djeshme dhe të afërm të saj tregojnë se ajo ka qenë duke punuar në arë, disa qindra metra larg shtëpisë, kur insekti vdekjeprurës e ka pickuar në kofshën e majtë. Kanë qenë disa bashkëfshatarë të rastit, të cilët kanë dëgjuar thirrjet e saj dhe i kanë ardhur në ndihmë duke e dërguar pranë familjes. Këta të fundit e kanë sjellë urgjentisht në spitalin e Beratit dhe sipas mjekëve specialistë të spitalit, pickimi nga merimanga e zezë i kishte shkaktuar gruas 60-vjeçare mpirje të forta të gjymtyrëve, ngritje të tensionit arterial, temperaturë të lartë, dhimbje të kockave dhe humbje të kujtesës. Menjëherë ajo ka marrë ndihmën mjekësore intensive me medikamentet e nevojshme dhe ka dalë nga rreziku për jetën. Aktualisht ndodhet duke u mjekuar në repartin e patologjisë së spitalit të Beratit dhe nën kujdesin e mjekëve të specializuar. Sipas mjekëve të spitalit, ky është rasti i dytë i pickimit nga merimanga e zezë në këtë qark dhe për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ndërkohë, që për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar u evidentuan rreth 14 raste, njëri me pasojë vdekje.
Viktima e parë për këtë sezon e "vejushës së zezë" ka qenë 70-vjeçarja Zenepe Metani, banore e fshatit Moravë, 10 km në perëndim të qytetit të Beratit. Gruaja i është nënshtruar menjëherë mjekimit intensiv dhe pas disa orësh ka dalë nga gjendja kritike për jetën.
Viktima e parë për këtë sezon e "vejushës së zezë" ka qenë 70-vjeçarja Zenepe Metani, banore e fshatit Moravë, 10 km në perëndim të qytetit të Beratit. Gruaja i është nënshtruar menjëherë mjekimit intensiv dhe pas disa orësh ka dalë nga gjendja kritike për jetën.