E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkurtohen fondet për nëntë ministri

Në kuadër të rishikimit të realizimit të buxhetit të vitit 2009, është aplikuar një reduktim i tavaneve të shpenzimeve kapitale të brendshme për vitin 2010, për disa prej institucioneve buxhetore. Konfirmimin zyrtar e bën Ministria e Financave, e cila rendit 9 ministri dhe institucionin e Gjyqësorit, të cilat për vitin që vjen do të kenë më pak fonde për të investuar. Ministria u bën thirrje këtyre institucioneve, që pavarësisht reduktimit të fondeve, të mos dalin nga linja e prioritetit që kanë vendosur më parë. "Theksojmë se reduktimet e tavaneve të shpenzimeve kapitale nuk duhet të ndikojnë në përmbushjen e projekteve prioritare të investimeve, të përcaktuara si në programin buxhetor afatmesëm 2010-2012 ashtu edhe në kërkesat për fonde shtesë", sqaron ministria.

Në udhëzimin e publikuar më 10 korrik, Financat nuk japin detaje për diferencat e krijuara nga reduktimi i buxhetit që do të kenë të nëntë ministritë dhe Gjyqësori, por jep argumentin e rezultatit të tanishëm me shpenzimet. Megjithatë, nga krahasimi i tabelave, të paktën Ministrisë së Punëve Publike, e cila ka pjesën më të madhe të investimeve, për vitin 2010, do t‘i mungojnë rreth 7 miliardë lekë. Konkretisht, mes tyre nuk mungojnë Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Arsimit, si edhe Ministria e Shëndetësisë, të cilat mbulojnë sektorët kryesorë të vendit dhe ku është e nevojshme të investohet më tepër. I kanë "shpëtuar" krizës Ministria e Drejtësisë, Mjedisi, Integrimi, Turizmi dhe Ministria e Jashtme.

Plani për vitin 2009 është krijimi i shtesave në buxhet, duke ndaluar investimet pas datës 3 gusht. Më herët, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i ka udhëzuar të gjitha institucionet që të kursejnë 10 për qind nga fondi për shpenzimet korrente, kurse më tutje vendosi të mos lejojë zhvillimin e tenderëve pas muajit gusht. Shkak është bërë mungesa e të ardhurave në buxhetin e shtetit, si pasojë e krizës ekonomike. Këtë argument që jep Ministria e Financave nuk e pranon Kryeministri, i cili pretendon se i ka të mjaftueshme paratë.

Transportet

Nga krahasimi i tabelave, të paktën Ministrisë së Punëve Publike, e cila ka pjesën më të madhe të investimeve, për vitin 2010 do t‘i mungojnë rreth 7 miliardë lekë

Institucionet që u reduktohen fondet

- Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës

- Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit

- Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit

- Ministria e Financave

- Ministria e Arsimit dhe Shkencës

- Ministria e Shëndetësisë

- Ministria e Brendshme

- Ministria e Mbrojtjes

- Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta

- Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›