AKKP: Dosje të re për pronarët që nuk kanë përfituar kompensim
Laureta Rryçi
Tiranë - Pronarët që nuk kanë përfituar kompensim në raundin e parë duhet të përpilojnë një dosje të re për të qenë përfitues. Burime zyrtare nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pohuan dje për gazetën “Albania” se shumë prej pronarëve nuk mund të përfitojnë nga ky fond për kompensim nëse nuk rinovojnë dokumentacionin e dorëzuar kohë më parë. Të njëjtat burime shpjeguan se të gjithë këta pronarë duhet të dorëzojnë dokumentacion të këtij viti. I vetmi lehtësim që do të kenë është se nuk do ta paguajnë më mandat-pagesën që kanë paguar më parë kur dorëzuan dosjen e parë. Sakaq, në zyrat e AKKP-së çdo ditë me dhjetëra pronarë shkojnë për të dorëzuar dokumentet për të përfituar kompensimin nga toka e shpronësuar. Pronarët që do të dorëzojnë dokumente të rregullta do të përfitojnë nga ndarja e fondit financiar prej 5 milionë dollarësh për kompensimin financiar të ish-pronarëve parashikohet të realizohet brenda muajit dhjetor 2008. Zyrtarët e AKKP-së treguan se pronarët do të plotësojnë dy formularë gjatë momentin kur do të dorëzojnë dhe dokumentet që i përkasin vitit 2008. Specialistët e AKKP-së do të kenë dhe përgjegjësinë për të skualifikuar të gjithë pronarët e rremë që duan të përfitojnë padrejtësisht ose që nuk kanë mundur të sigurojnë në kohën e duhur të gjitha dokumentet që kërkon dosja.
Dokumentet
Pronarët duhet të paraqesin në Zyrën e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kërkesën dhe dokumentet për të përfituar nga fondi prej 5 milionë dollarësh. Afati i dorëzimit të kërkesës është deri më 3 dhjetor të këtij viti. Përveç dokumenteve që do të plotësojnë dosjen e re, atyre u duhet të sjellin dhe fotokopjen e mandat-pagesës së parë në mënyrë që të mos paguajnë sërish të njëjtën shumë lekësh për këtë shërbim. Pas kësaj etape, Agjencia e Kompensimit do të shqyrtojë të gjitha kërkesat dhe brenda tre muajve do të bëhen publik emrat, të cilët do të përfitojnë nga kompensimi financiar. Sipas llogaritjeve të afateve, ish-pronarët do të mund marrin paratë e kompensimit në muajin dhjetor. Nga vendimi i ri i qeverisë, ndryshe nga procedura e vitit të kaluar, do të përfitojnë ata ish-pronarë të cilët e kanë marrë vendimin të parët, dhe jo ata që kanë dorëzuar dosjen të parët. Gjithashtu, sipas vendimit, do të përfitojnë vetëm ata ish-pronarë, pronat e të cilëve ndodhen në qytete ku ka përfunduar harta e vlerës së tokës. Edhe për këtë vit, ish-pronarët do të kompensohen vetëm për 200 metra katrorë.
Shpërndarja
Sipas burimeve nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, procedura finale e ndarjes së lekëve do të zgjasë deri në dhjetor dhe do të merret sipas radhës që nga viti 1993. Duke parë se dhe fondi i vendosur nga qeveria për kompensimin financiar është i kufizuar dhe numri i pronarëve që do të përfitojnë do të jetë i ulët, ndaj dhe do të ketë kritere të qarta për personat që do të përfitojnë kompensimin, gjë që do të sjellë uljen e numrit të pretendentëve. Kjo është hera e tretë kur do të aplikohet skema e kompensimit financiar. Së pari, kjo është zbatuar në fund të dhjetorit të vitit 2005, kur përfituan 28 subjekte, pronarë të trojeve në Tiranë. Rituali u përsërit po në dhjetor, por të vitit 2006. Këtë herë përfituan rreth 30 pronarë në Kavajë dhe 25 në Tiranë. Ndërsa për vitin 2007 fondi duhej të ishte ndarë që në qershor.
Dokumentacioni që do të paraqitet në AKKP
Kërkesa për kompensim financiar, sipas formularit 1 (Plotësohet në zyrë gjatë aplikimit)
Deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim, sipas formularit 2 (Plotësohet në zyrë gjatë aplikimit)
Vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose të AKKP-së, për njohjen dhe kompensimin e pronës (së bashku jo të ndara) me plan-vendosjen përkatëse (Fotokopje të noterizuar)
Prona duhet të jetë e gjitha e njohur dhe vetëm kompensim pa asnjë metër kthim
Dëshmitë e trashëgimisë (Vendimi i gjykatës me vulë të njomë)
Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare në emër të subjektit të shpronësuar
Fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identifikimit (letërnjoftim, pasaportë ose certifikatën e lindjes së personit), që ka prokurën e përfaqësimit
Fotokopjen e mandat-pagesës së parë
FORMULARËT
Formulari tip 1
KËRKESË
PËR KOMPENSIMIN E PRONËS
Drejtuar: Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave
Data e paraqitjes së kërkesës: ___/___/ 2008
Subjekti i shpronësuar:
______________ ____________ ____________
Emri Atësia Mbiemri
Personi me prokurë që paraqet kërkesën:
______________ ____________ ____________
Emri Atësia Mbiemri
Adresa e personit me prokurë:
______________ ____________ ____________
Qarku Rrethi Qyteti/Fshati
______________ ____________ ____________
Lagja Rruga Nr. i banesës
______________ ____________ ____________
Telefon Celular E-mail
Kërkoj kompensimin e pronës në të holla sipas kritereve të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.______ /datë/___/__/ 2008. “Për miratimin e procedurave të ndarjes së fondit të kompensimit në të holla, për vitin 2008.
Kërkuesi
____________________
Emri Atësia Mbiemri
____________________
Nënshkrimi
Shënim: Ky formular është dokument zyrtar. Paraqitja e të dhënave të rreme ose fshehja e tyre sjell përjashtim të menjëhershëm nga çdo procedurë e mëtejshme, si dhe përgjegjësi penale para ligjit.
Formulari tip 2
DEKLARATË
Personi me prokurë që paraqet kërkesën:
______________ ____________ ____________
Emri Atësia Mbiemri
Adresa e personit me prokurë:
______________ ____________ ____________
Qarku Rrethi Qyteti/Fshati
______________ ____________ ____________
Lagja Rruga Nr. i banesës
_____________ ____________ ____________
Telefon Celular E-mail
Në emër të trashëgimtarëve të subjektit të shpronësuar, sipas prokurës së posaçme bashkëlidhur, deklaroj se:
1. Në rast se nuk shpallem fitues, sipas kritereve të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.______ /datë/___/__/ 2008. “Për miratimin e procedurave të ndarjes së fondit të kompensimit në të holla, për vitin 2008, tërhiqem nga kërkesa e paraqitur për kompensim në të holla për vitin 2008.
2. Heq dorë nga e drejta e parablerjes për sipërfaqen e kompensuar, në rast se shpallem fitues në këtë aplikim.
3. Nuk kam fituar nga kompensimet e mëparshme, si dhe nuk kam përfituar tokë nga zbatimi i Ligjit nr. 7501 datë 19.7.1991 “Për tokën”.
4. Nuk jam në proces gjyqësor, apo në proces shqyrtimi të një ankimimi administrativ në lidhje me pronën objekt kompensimi.
Kjo deklaratë i bashkëngjitet kërkesës nr.______ /datë/___/__/ 2008, për kompensim në të holla për vitin 2008.
Deklarues
Përfaqësues me prokurë
____________________
Emri Atësia Mbiemri
____________________
Nënshkrimi
Shënim: Ky formular është dokument zyrtar. Paraqitja e të dhënave të rreme ose fshehja e tyre sjell përjashtim të menjëhershëm nga çdo procedurë e mëtejshme
edhe pse dosjen mund ta kenë dorëzuar kohë më parë
12 Nentor 2008