E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimi dhe kostoja e indiferencës



Mimoza Pashai

Kur njerëzit flasin për pronën private, të gjithë duket se bien dakord në një pikë që është shumë e rëndësishme, të kemi pronë private. Prona private është ajo që na jep të drejtën të themi me krenari në jetën e përditshme: “Kjo shtëpi është e imja”; “unë jam pronar i një dyqani” etj. Të gjithë jemi të bindur se përveç mundit në kohë dhe investim për ta ngritur këtë biznes, jemi në çdo moment të ekspozuar para risqeve të jetës së përditshme. Gjithnjë të pasigurt për të nesërmen, për luhatjet e tregut, të motit, konkurrencës. Të pasigurt për sigurinë e jetës sonë, pronës, shëndetit. Vetë nocioni “siguri” rrjedh nga fjala latine “securitas“ që do të thotë pa shqetësime dhe preokupime, gjegjësisht shmangie nga pasiguria, evitimi nga kërcënimi dhe rrezikimi i pasigurisë. Janë shoqëritë e sigurimit ato që ofrojnë mbulime në sigurim, që biznesi ynë të jetë i mbrojtur, që prona jonë të jetë e sigurt, që shëndeti ynë të jetë më i mirë. Pra, qëllimi i shërbimeve të ofruara nga kompanitë e sigurimit është transferimi i rrezikut, duke zëvendësuar pasigurinë me sigurinë. Thelbi i sigurimit është të veprojë si një mekanizëm i transferimit të rrezikut dhe të japë një kompensim financiar për humbjen e pësuar në rast shkaktimi të një dëmi. Sigurimi sigurisht që nuk e shmang rrezikun, por përpiqet të japë një mbrojtje financiare ndaj pasojave të mundshme. Për këtë arsye, investimet në masat parandaluese për reduktimin e rreziqeve marrin një rëndësi të veçantë. Por shqiptarët në përgjithësi paraqiten indiferentë për të siguruar jetën e tyre, biznesin, pronën private, por mjaftohen vetëm me sigurimin e automjeteve dhe këtë vetëm pse ua kërkon ligji. Një tjetër sigurim, të cilit nuk i shmangen dot, është dhe “Sigurimi i shëndetit në udhëtim”, i cili është një sigurim vullnetar, por është i detyrueshëm të bëhet nga kërkesat e ambasadave. Ndërkohë përjashtime të veçanta bëjnë disa biznese, sidomos ato me partnerë të huaj. Është fakt që siguracionet private janë një industri e re në vendin tonë, e lindur vetëm pas vitit 1991, megjithatë gjithnjë e më shumë lind nevoja që t’i kushtohet një rëndësi e veçantë dhe vëmendje këtij sektori.
Rastet:
Shqipëria është një vend i ekspozuar ndaj rreziqeve dhe pasigurive ku spektri i fatkeqësive është mjaft i larmishëm, duke filluar nga fatkeqësitë natyrore e deri tek ato të dorës së njeriut. Fatmirësisht, vitet e fundit nuk kemi pasur rastin të ballafaqohemi me fatkeqësi të mëdha, por fatkeqësi të konsideruara të vogla dhe deri me intensitet të mesëm kanë qenë prezente dhe kanë shkaktuar jo pak probleme e dëme, veçanërisht në ekonominë private e atë publike. Këto ditë, një tjetër minator iu shtua numrit të gjatë të viktimave që kanë gjetur vdekjen në zonën minerare të Bulqizës, të cilët në harkun kohor të 30 muajve e kanë çuar në 18 numrin e tyre. Nuk po flasim këtu për shkeljen e rregullave të sigurimit teknik dhe domosdoshmërinë e tyre, por nëse viktima në fjalë do të ishte i siguruar nga aksidentet në punë, atëherë familja e tij do të përfitonte një dëmshpërblim financiar, ose në rast se i ndjeri do t’i kishte mbijetuar aksidentit, siguruesit do t’i mbulonin atij shpenzimet spitalore dhe të ardhurat e munguara për periudhën e paaftësisë në punë.
Një tjetër tragjedi, ajo e Gërdecit, në mars të këtij viti, tregoi edhe një herë se pasiguria në Shqipëri ndodhet gjithmonë pranë nesh. Rreziqet janë të pranishme në çdo moment.
Qindra ndërtesa u dëmtuan. Biznese të shkatërruara, shtëpi të kthyera në gërmadha, jeta e një zone të tërë, të gjitha përpjekjet, mundet, sakrificat e banorëve të saj, të kthyera në pluhur dhe rrënoja. E sjellim këtë rast tragjik si shembull pasi nëse shoqëria që kryente këto demontime po të kishte siguruar biznesin, përgjegjësitë e tij, si dhe jetën e punëtorëve të saj, apo nëse do të kishte detyrime kontraktore ku të parashikohej sigurimi për dëmet që mund t‘u shkaktoheshin palëve të treta nga kjo shoqëri apo shtetit vetë, si dhe dëmet që mund t‘u shkaktoheshin punonjësve të saj nga aksidentet në punë, atëherë të gjitha përgjegjësitë, si dhe dëmet financiare të shkaktuara, që për fat të keq kaluan në disa miliona euro, do të mbuloheshin lehtë. Nëse autoritetet shtetërore do të vinin kusht policën e sigurimit, atëherë të jemi të sigurt që kompania në fjalë nuk do të ishte pajisur me licencë për aktivitetin e saj. Por jo vetëm në këtë rast, por gjithnjë e më shumë vërehet domosdoshmëria për sigurimin e përgjegjësive ndaj palëve të treta, sigurimi i aksidenteve dhe i shëndetit në punë, sigurimi nga humbjet e biznesit. Por po të flasim për fatkeqësi natyrore, të gjithë ne i kemi akoma të freskëta situatat emergjente të krijuara nga zjarret në pyje gjatë verës së fundit, ndërsa në dimër gjithnjë e më shumë jemi të riskuar nga përmbytjet e mëdha të favorizuara këto jo vetëm nga kapriçot e natyrës, por edhe nga infrastruktura e dobët. Situatat emergjente, të shkaktuara nga përmbytjet, rrëshqitjet dhe veçanërisht situatat e krijuara nga zjarret në pyje, kanë treguar se dëmet janë shumë të mëdha dhe kostoja e tyre është e papërballueshme. Shumica e pronave të siguruara ndaj katastrofave natyrore në Shqipëri janë të lidhura me dhënien e kredisë nga bankat. Pajisja me këtë lloj siguracioni përbën një kriter për aprovimin e kredisë, megjithëse aktualisht nuk ka bazë ligjore që e bën të detyrueshëm këtë lloj sigurimi. Shqipëria është vend i ekspozuar ndaj rreziqeve natyrore, si tërmetet, përmbytjet, zjarret, etj. Për këtë arsye, është e domosdoshme që jo vetëm të zhvillohen programe dhe sensibilizime për mbrojtje nga këto katastrofa natyrore, por duhet të mendohet seriozisht për krijimin e një baze të mirëfilltë ligjore për sigurimin, bazuar në përvojat më të mira ndërkombëtare. Kjo mbetet një sfidë e madhe për vendin dhe kryesisht për sektorin e sigurimeve.

12 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›