Cigarja e ndezur shkrumbon shtëpinë
KORÇË – Një bisht cigareje e hedhur në mënyrë të shkujdesur ka lënë një familje në qiell të hapur. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së hënës në fshatin Drenovë. Burime zyrtare nga Policia e Korçës kanë bërë të ditur se dy ditë më parë, në fshatin Drenovë të Korçës, ka rënë zjarr në banesën e Sefedin Hoxhës. Nga hetimet e kryera dhe nga deklarimet e marra nga uniformat blu, ka rezultuar se, shkak i zjarrit është cigarja e ndezur që pronarit të shtëpisë i ka rënë krevat dhe për pasoje zjarri është shpërndarë në gjithë ndërtesën në pamundësi për t’u fikur prej tij.
Arrestohen dy të mitur për grabitjen e banesës
POGRADEC - Dy të mitur kanë hyrë në një shtëpi dhe kanë grabitur disa orendi shtëpiake. Burimet zyrtare të Policisë së Pogradecit bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 17:00, është konstatuar se në Lagjen Nr. 1 të Pogradecit persona të panjohur kanë hyrë në një banese dhe kanë përvetësuar disa sende shtëpiake. Menjëherë kanë filluar hetimet dhe është arritur të identifikohen dhe të kapen autorët të cilët janë E. D., 12 vjeç dhe E. Xh., 14 vjeç, të dy banues në këtë lagje. Policia tha se dy të miturit do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë për shkak të moshës së tyre të mitur.
Plagoset me armë 22-vjeçari sapo doli nga burgu
ELBASAN – Sapo ka lënë qelinë, një 22-vjeçar është qëlluar me armë zjarri pas shpine nga një person, tashmë i identifikuar nga policia, ndërkohë që dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje. Burime të policisë bëjnë të ditur se i plagosuri, Erald Kofsha, lindur e banues në lagjen “Visarion Xhuvani” të qytetit të Elbasanit, u qëllua me një plumb pistolete në shpatull dhe tani ndodhet i shtruar në spitalin kirurgjikal të Elbasanit, në gjendje të rëndë. I plagosuri kishte pak ditë që ishte liruar nga burgu dhe dyshohet se sulmi ndaj tij mund të ketë motive hakmarrjeje.
Vret babanë nga pakujdesia, shkrehu pa dashje pistoletën
KOLONJË - Një banor i rrethit të Kolonjës u ndalua dje nga policia lokale me akuzën e "vrasjes nga pakujdesia", pasi i mori aksidentalisht jetën babait të tij duke e qëlluar me një armë trofe. Burime zyrtare të policisë rajonale të Korçës, i bënë të ditur se Andon Zoja, 24 vjeç, banor në fshatin Shtikë në rrethin e Kolonjës, u arrestua pasi të hënën rreth orës 22.30, duke luajtur në banesën e familjes Zoja me një armë pistoletë trofe, e shkrepi armën pa dashur, duke qëlluar në kraharor të atin, 55-vjeçarin Petraq Zoja, i cili gjeti menjëherë vdekjen. Policia vendosi arrestimin e shkaktarit të kësaj ngjarje me akuzën "vrasje nga pakujdesia" dhe "mbajtje pa lejë e armëve luftarake".
12 Nentor 2008