Gjykata e Strasburgut, rregullat që duhen ndjekur për dosjet e pronave
Laureta Rryçi
Tiranë - Problematika që mbartin çështjet e pronësisë si dhe zgjidhjet e tyre në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg janë diskutuar dje nga ekspertë vendas dhe të huaj në një seminar të organizuar në Tiranë nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Europës. Në seminar ishte i pranishëm edhe ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave mes specialistëve të fushës në këtë drejtim si dhe zbatimin e vendimeve të kësaj Gjykate. Gjatë seminarit referoi Agjenti Qeveritar i Polonisë për çështjet para Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Jakub Wolasiewic, i cili solli eksperiencën në trajtimin e çështjeve të pronësisë nga shpronësimet deri te kthimi apo kompensimi i pronave. Po ashtu një vend të rëndësishëm në këtë tryezë iu kushtua edhe diskutimit mbi rolin e Agjentit Qeveritar në këtë Gjykatë.
Pronat
Ashtu siç pretendohet për gjykim të drejtë Gjykata e Strasburgut ka rregullat e saj, të cilat nuk duhet t’i respektojnë vetëm qytetarët shqiptarë, por çdo qytetar i një shteti që ka nënshkruar Konventën Europiane. Shifrat tregojnë se çdo ditë që kalon shqiptarët ndërgjegjësohen më tepër për të provuar të drejtën edhe nëpërmjet një gjykate të huaj. Ndërsa nga ana tjetër kambanat bien për shtetin shqiptar, ku gjatë këtyre viteve në jo pak raste i është dashur të zgjidhë qesen. Referuar të dhënave që pasqyrohen në faqen e internetit të kësaj gjykate, deri tani shqiptarët kanë depozituar më shumë se 200 padi. Midis tyre gjen padi civile dhe penale. Jo pak vrasje të bujshme të ndodhura ndër vite tashmë e kanë nisur këtë procedurë. Megjithatë, gjatë viteve të fundit numrin më të madh të këtyre çështjeve e zënë çështjet civile, që kanë të bëjnë me pronën. Por ndërsa shifra e padive është për t’u marrë në konsideratë, shteti shqiptar është njohur zyrtarisht vetëm për 35 prej tyre. Çështje për të cilat ka filluar të punohet nga përfaqësuesit e shtetit në mënyrë që të mbrojnë deri në fund vendimet e dhëna nga tri shkallët e Gjyqësorit.
Proceset
Çështja e pronave vazhdon, që nga viti 1991 e deri sot, të mbetet pa një ligj. Shumë qytetarë prej kohësh renden nëpër gjykata për të rimarrë pronën që e kanë trashëguar nga paraardhësit e tyre. Madje shumë prej tyre i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut për t'i dhënë një zgjidhje. Çështjet që lidhen me pronat po bëhen dita-ditës çështje qendrore në Strasburg. Gjykata e të Drejtave të Njeriut ka komunikuar disa prej tyre, që do të thotë se i ka kërkuar shtetit shqiptar informacione të hollësishme rreth tyre dhe legjislacionit përkatës shqiptar. Ne thelb kjo do të thotë se ato çështje që janë komunikuar janë në rendin e ditës së gjykatës e nuk janë rrëzuar si apriori të pabazuara.
Box
Procedura
Ankesat që do të depozitohen në këtë gjykatë duhet të jenë vetëm për ato të drejta që njeh Konventa, dhe jo për çfarëdo të drejte, si p.sh. për pushimin nga puna të zyrtarëve të lartë, për masën e dënimit penal etj., duhet ankuar brenda 6 muajve nga dita e vendimit të fundit të gjykatës shqiptare. Për disa çështje, vendimi i fundit është ai i Gjykatës së Lartë, për disa të tjera, ai i Gjykatës Kushtetuese (kur ka të bëjë me procesin e rregullt ligjor). Po kështu, të gjithë ata që janë të interesuar për çështjen e pronës duhet të kenë parasysh rregullin që përcakton se pranohen vetëm ato padi mbi të cilat prona është njohur në një mënyrë ose në një tjetër nga gjykatat shqiptare. Kjo, sipas specialistëve, ka të bëjë jo thjesht me faktin se gjykata shqiptare e ka zgjidhur çështjen në favor të individit pronar (ndryshe ky individ nuk kishte pse të vinte në Strasburg), por me faktin se qytetari që mendon se ka të drejtë të jetë pronar duhet të ketë të paktën një "shpresë legjitime" për t'u bërë pronar. E thënë ndryshe, kur gjykata shqiptare e kushtëzon këtë të drejtë me disa kërkesa procedurale dhe në qoftë se gjyqi është humbur thjesht për shkaqe procedure, personi në thelb ka një shpresë legjitime për t'u bërë pronar. Por duhet të jetë e qartë se Konventa nuk garanton të drejtën e personit për t'iu rikthyer prona sa kohë vetë shteti nuk ka nxjerrë ligje për këtë dhe nuk ka vendosur ta bëjë një gjë të tillë. Po sipas juristëve, Strasburgu mund t'i kontrollojë zgjidhjet shqiptare vetëm kur mund të konstatojë se vetë ky sistem u njeh direkt ose indirekt qytetarëve në mos një të drejtë të shprehur, të paktën një shpresë legjitime. Një shpresë legjitime do të thotë që rikthimi parashikohet me ligj, pavarësisht nga keqzbatimet e administratës, fakti që ky ligj shkelet nga gjykatat në atë sferë që krijon probleme për të drejtat e parashikuara nga Konventa.
Rregullat për t’iu drejtuar Gjykatës së Strasburgut
Përpara se t’i drejtoheni Gjykatës së Strasburgut, ju duhet të keni bërë në shtetin ku jeni dënuar, të gjitha (ankesat) rekurset që do të kishin mundur të sillnin zgjidhjen e çështjes në favorin tuaj ose ndreqjen e situatës për të cilën ju ankoheni. Ju duhet, për shembull, t’i jeni drejtuar organit më të lartë kompetent p.sh., në qoftë se ankoheni se jeni dënuar padrejtësisht nga Gjykata e Shkallës së Parë p.sh. në Itali, Greqi, ose Francë, duhet të keni bërë ankesë brenda afateve në gjykatat e apelit dhe në qoftë se lejohet edhe në Gjykatën e Lartë (apo të Kasacionit) të vendit ku jeni dënuar. Gjatë ndjekjes së këtyre ankimeve (rekurseve), ju duhet të keni respektuar rregullat e procedurës, sidomos afatet që ato parashikojnë. Nëse, për shembull, rekursi juaj është hedhur poshtë si i bërë me vonesë, apo për mosrespektim të një rregulli të kompetencës ose të procedurës, ka mundësi që Gjykata e Strasburgut të mos e shqyrtojë çështjen tuaj. Pra duhet bërë kujdes sepse kalimi i afatit 6-mujor, pas datës së vendimit të fundit të dhënë për çështjen tuaj, bën që ankesa juaj të mos merret në shqyrtim, pasi organi më i lartë kombëtar kompetent, p.sh. Gjykata e Apelit greke, italiane etj., ka dhënë vendimin e saj, ju keni një afat maksimal prej gjashtë muajsh për t’iu drejtuar Gjykatës së Strasburgut. Nëse ankimi juaj ka të bëjë me një dënim, afati fillon duke nisur nga data e vendimit përfundimtar të formës së prerë dhe jo duke u nisur nga refuzimi i ndonjë kërkese të bërë për rishikim jashtë afateve të rregullta të ankimit. Gjykata nuk do ta shqyrtojë ankesën tuaj nëse përpara skadimit të afatit prej gjashtë muajsh ju nuk i keni paraqitur asaj qartë arsyet e ankimit tuaj, qoftë edhe në një formë të shkurtuar.
Çështjet
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut është një institucion ndërkombëtar që, sipas disa kushteve, mund të pranojë kërkesat e personave, të cilët ankohen për shkelje të të drejtave të garantuara nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut. Kjo Konventë është një marrëveshje nëpërmjet të cilit shumë shtete të Europës janë angazhuar të respektojnë disa të drejta themelore të individëve. Këto të drejta janë formuluar në vetë Konventën, si edhe në disa protokolle, të cilat një pjesë e shteteve i kanë nënshkruar. Ju rekomandohet të njiheni me këto tekste dhe me rezervat që shtetet kanë për nene të veçanta, të cilat janë pasqyruar në tabelat përkatëse në fund të këtij botimi. Nëse ju vlerësoni që një prej shteteve, lista e të cilave është në fund të botimit, ka shkelur në dëmin tuaj një nga këto të drejta themelore, mund të ankoheni për shkeljen në Gjykatën e Strasburgut. Kjo gjykatë mund të trajtojë vetëm ankesat në lidhje me shkeljen e të drejtave të formuluara në Konventë dhe në protokollet, duke përjashtuar të gjitha shkeljet e tjera. P.sh., ankesa ndaj Republikës së Shqipërisë mund të bëhen vetëm kur shkeljet e Konventës janë bërë pas datës 02.10.1996, kur Konventa është ratifikuar nga Kuvendi (Parlamenti) i Shqipërisë dhe ka hyrë në fuqi pas kësaj date.
Ju mund të ankoheni në Gjykatë vetëm për aktet e një autoriteti publik (parlament, administratë, gjykata etj.) të njërit prej shteteve të listës. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut nuk mund të merret me ankesat drejtuar personave të veçantë, ose institucioneve private.
12 Nentor 2008