E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangoset 30-vjeçari, akuzohet për vrasjen e bashkëshortes gazetare

Policia arreston Bentian Shikën për vdekjen misterioze të Melita Rubit. Kërkohej prej 4 muajsh. Gjykata dënoi edhe motrën e tij, Nadire Shika

DURRËS – Pas arrestimit dhe dënimit nga drejtësia të Nadire Shikës për vrasjen misterioze të gazetares Melita Rubi, ka rënë në pranga edhe vëllai i saj, i cili ishte shpallur në kërkim nga policia që në korrik të këtij viti. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se rreth orës 11:00 të ditës së djeshme është ndaluar shtetasi Bentian Shika, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, Melita Rubi, gazetares së njohur në mediat lokale të Durrësit. Sipas tyre, 30-vjeçari Shika ka mundur t’i shpëtojë prangosjes, duke jetuar dhe punuar në kryeqytet, "nën hundët" e policisë, ndonëse Gjykata e Durrësit kishte caktuar masën e sigurisë "burg pa afat" që katër muaj më parë. Arrestimi i Shikës shënon zbardhjen e plotë të krimit që ndodhi pasditen e 5 shkurtit të vitit 2006 në fshatin Koxhas të rrethit të Durrësit, ku u masakrua në mënyrë misterioze 24-vjeçarja Rubi dhe më pas gjithçka u vesh me mister, duke u trajtuar si një vetëvrasje.
Arrestimi
Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ditën e martë, rreth mesditës, është bërë e mundur kapja e shtetasit të kërkuar Bentian Shika, lindur dhe banues në fshatin Koxhas. Sipas tyre, 30-vjeçari Shika dyshohet se më datë 6 shkurt 2006, në bashkëpunim me motrën e tij, Nadiren (aktualisht e ndaluar), ka vrarë bashkëshorten e tij, Melita Rubi. Zëdhënësja e policisë, Ornela Cako, sqaron se “Gjykata e Rrethit Durrës, me vendimin e datës 23 korrik të këtij viti, ka caktuar ndaj Bentianit masën e sigurimit personal ‘arrest në burg’ për veprat penale të ‘vrasjes me dashje’ dhe të ‘mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake’. Bazuar në këtë vendim, policia ka shpallur në kërkim 30-vjeçarin Shika që më 24 korrik. Që prej asaj periudhe i kërkuari është larguar nga fshati i lindjes dhe është transferuar në Tiranë, ku ka jetuar dhe punuar deri ditën e djeshme pa pasur asnjë lloj shqetësimi nga policia. Ekspertët e krimeve kanë vazhduar hetimet për gjetjen dhe prangosjen e tij dhe vetëm dje kanë e finalizuar operacionin, duke e prangosur Bentian Shikën, i cili do të përgjigjet para drejtësisë për akuzat e ngritura ndaj tij për krimin bashkëshortor.
Vendimi
Gjykata e Durrësit ka dënuar me 14 vjet burg motrën e Bentian Shikës, e cila akuzohet së bashku me të vëllanë për vrasjen e gazetares Melita Rubi. Ndonëse e kanë mohuar kategorikisht autorësinë e krimit, togat e zeza kanë dhënë vendimin që më 23 korrik për Nadire Shikën. Në bazë të provave të mbledhura gjatë kësaj kohe, trupi gjykues doli në përfundimin se autore e vrasjes është Nadire Shika. Nga ana e tyre, motër e vëlla nuk e kanë pranuar akuzën që ditën e arrestimit të tyre. Ata kanë insistuar si gjatë procesit hetimor dhe gjatë gjykimit se Rubi ishte vetëvrarë në dhomën e saj të gjumit. Por organi i akuzës ka ngulur këmbë se Rubi nuk ishte vetëvrarë. Sipas akuzës, u gjetën prova materiale, të cilat vërtetuan se gazetarja e Durrësit ishte vrarë nga Nadire Shika. Këto kanë qenë prova shkencore (shenjat e barutit në dorë), të cilat u morën në konsideratë nga ana e trupit gjykues.
Më 5 gusht të vitit 2006 është gjetur e vdekur në banesën e bashkëshortit të saj, në fshatin Koxhas, gazetarja Melita Rubi. Policia fillimisht dyshoi për një vetëvrasje të mundshme, alibi e cila tashmë ka përfunduar me arrestimin e dy të dyshuarve si autorë të këtij krimi.

12 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›