Dobjani kërkon hetim për dhunën policore ndaj 18-vjeçarit, prokuroria i përgjigjet
Tiranë - Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, u kërkoi dje organeve kompetente hetim të plotë të ngjarjes së keqtrajtimit në mjediset e Komisariatit të Policisë së Sarandës të Aristill Gllucajt. Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama i përgjigjet duke urdhëruar nisjen e hetimeve. Ai kërkoi marrjen e masave që përgjegjësit e dhunës të dalin përpara drejtësisë. “Institucioni i Avokatit të Popullit i ka kërkuar Prokurorisë së Sarandës të nisë hetimet për veprën penale të ‘torturës’ ndaj oficerit të Policisë Gjyqësore të Sarandës, Ardit Hasanaga, në funksion të zbatimit të parimit kushtetues se ‘të gjithë janë të barabartë para ligjit’”, - tha Dobjani në një prononcim për mediat. Më tej Avokati i Popullit kritikoi qëndrimin e mbajtur deri tani nga Policia dhe Prokuroria e Sarandës duke deklaruar se “këto organe e kanë shkelur këtë parim dhe nuk kanë zbatuar ndaj këtij punonjësi policie as masën e ndalimit dhe as atë të arrestimit në kushtet e flagrancës”. Dobjani sqaroi se lidhur me çështjen i është drejtuar edhe prokurores së Përgjithshme dhe ministrit të Brendshëm. Aristill Gllucaj u arrestua pak ditë më parë nga policia e Komisariatit të Sarandës me akuzën e kalimit të paligjshëm të kufirit. Ndaj tij ishte ushtruar dhunë nga oficerë të Policisë Gjyqësore të Sarandës, sa i riu ishte dërguar në spital për t’u mjekuar. Historia e dhimbshme nuk mbaron me kaq. Ndonëse i riu ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, ai ishte marrë nga oficerët e policisë për t’u dërguar në Gjykatën e Sarandës ku dhe do t’i jepej masa e arrestit. Nuk ka vonuar dhe i iru nuk është mbajtur dot në këmbët e tij dhe është shembur, duke përplasur kokën në tavolinë përpara trupit gjykues. Pamjet ekskluzive të dhunës ndaj të riut u publikuan ekskluzivisht të shtunën e kaluar.
Drejt fundit procesi ndaj Shullazit dhe Ferhatit, të akuzuar për trafik droge
TIRANË - Procesi i nisur disa muaj më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi dhe Ervin Ferhati, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, po shkon drejt fundit. Gjykata pritet të dëgjojë javën e ardhshme pretendimet e palës mbrojtëse dhe do të shpallë vendimin përfundimtar për dy të akuzuarit si pjesë e një rrjeti të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali. Gjatë dhënies së konkluzioneve përfundimtare, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi nga gjykata shpalljen fajtor dhe dënimin me 18 vjet burg secili për të pandehurit Shullazi dhe Ferhati. Këta persona ndodhen prej muajsh të izoluar në dhomat e paraburgimit të Tiranës, në masën e sigurisë “arrest me burg”, dhënë ndaj tyre nga gjykata. Të pandehurit e procesit në fjalë dyshohen se janë anëtarë të një grupi të trafikut të narkotikeve, që vepronte vite më parë në Shqipëri dhe Itali.
Policia prangos 6 të rinj për trafik të narkotikeve
TIRANË - Policia e kryeqytetit bëri të mundur arrestimin e 6 shtetasve, të dyshuar për “trafik të narkotikeve”. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës bënë të ditur dje se gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme u bë i mundur arrestimi i shtetasve: Ilirian Dajti, 24 vjeç, Daniel Qemali, Jetnor Ademi, Ilir Tota, të tre të moshës 23 vjeç, të lindur dhe banues në Tiranë, Algert Shehi, 21 vjeç dhe Erjon Todri, 25 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë. Sipas burimeve, këta shtetas u arrestuan në kushtet e flagrancës gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme, në Rrugën e Kavajës, teksa tentonin të shisnin lëndë narkotike të tipit heroinë. Në cilësinë e provës materiale, në ngarkim të tyre, u sekuestrua një sasi lënde narkotike, e dyshuar e tipit heroinë, 9 aparate celularë, një sasi të hollash, si dhe dy automjete, të cilat i kishin në përdorim. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës për hetime të mëtejshme për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, e kryer në bashkëpunim”.
12 Nentor 2008