E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalohet kreu i Këshillit Bashkiak, kërcënoi shefin e Krimeve



KOPLIK - Kryetari i Këshillit Bashkiak të qytetit të Koplikut është shoqëruar në polici pasi ka kërcënuar shefin e Krimeve të Malësisë së Madhe pas ndalimit të disa pjesëtarëve të familjes së tij. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se pasditen e së hënës, rreth orës 17:05, është bërë arrestimi në flagrancë i Ardjan Hysës, lindur e banues në qytetin Koplik të rrethit Malësi e Madhe, me detyrë kryetar i Këshillit Bashkiak. Sipas policisë, arrestimi i tij është bërë pasi në të njëjtën ditë, rreth orës 11:30, familjarët e 30-vjeçarit Hysa janë përfshirë në një konflikt dhe kjo ka sjellë ndërhyrjen e forcave të Komisariatit të Malësisë së Madhe. Ata kanë bërë shoqërimin e disave prej tyre në polici. Kjo ka detyruar që kreu i Këshillit Bashkiak të shkojë në Komisariatin e Policisë për të sqaruar ngjarjen. Në një moment tensioni, Hysa ka kundërshtuar me forcë dhe me dhunë fizike shefin e Seksionit të Policisë Kriminale të Komisariatit të Malësisë së Madhe. Kaq ka mjaftuar dhe efektivat e Rendit kanë bërë ndalimin e kryetarit të Këshillit Bashkiak. Zëdhënësja e Policisë së Qarkut, Fatbardha Çelepia, pohon se “dosja në ngarkim të shtetasit Ardjan Hysa i ka kaluar Prokurorisë së Shkodrës, pasi ai akuzohet për veprën penale të “kundërshtimit të punonjësit të Policisë së Rendit”.

Bllokohen Canabis dhe municion, prangosen 2 persona

SHKODËR – Dy operacione policore kanë sjellë sekuestrimin e një sasie lënde narkotike, e cila po trafikohej drejt Malit të Zi, si dhe një sasi e konsiderueshme municionesh. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se dje janë bllokuar 62,2 kilogramë lëndë narkotike e llojit Cannabis sativa dhe arrestoi dy qytetarë, të cilët u kapën me këto lëndë. Zëdhënësja e shtypit pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës, tha se lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit të bërë nga sektori i Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës. I pari që ra në pranga ishte 49-vjeçari Pjetër Zefi, lindur në Shllak dhe banues në Shkodër, të cilit iu kap në banesë një sasi prej 6.2 kilogramësh bimë narkotike e tharë. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, u gjetën dhe u sekuestruan edhe 18 granata dore mbrojtëse dhe 20 ndezëse. Po dje policia arrestoi edhe 18-vjeçarin Vilson Çekaj, lindur dhe banues në fshatin Star të komunës Kastrat, në rrethin e Malësisë së Madhe, të cilit iu gjetën 56 kilogramë bimë narkotike në gjendje të presuar. Kjo lëndë ishte ndarë në tri çanta dhe në bashkëpunim me dy qytetarë të tjerë, Çekaj i kishte fshehur në një bunker. Sipas të dhënave nga policia vendore, lënda narkotike ishte bërë gati për t’u trafikuar drejt Malit të Zi. Tashmë ka përfunduar faza e korrjes së lëndëve narkotike në Malësinë e Mbishkodrës dhe kanë nisur tentativat për shitjen e lëndës së ndaluar.
Parandalohet grabitja me armë, arrestohet 20-vjeçari i armatosur

DURRËS – Një 20-vjeçar i armatosur deri në “dhëmbë” është arrestuar pa arritur të realizojë planin e tij për grabitjen e udhëtarëve në aksin Mirditë-Fushë Arrës. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së hënës, rreth orës 20:30, në vendin e quajtur Ura e Fanit, ndodhej në një makinë një person i armatosur, i cili ishte i plagosur në këmbë. Pas verifikimeve të para, rezultoi se brenda në automjet ishte shtetasi Erjon Simon Nikolli, lindur në Spaç të rrethit të Mirditës dhe banues në Durrës. Nikolli kur ka parë të afrohej patrulla e policisë, ka tentuar të largohet, ndonëse ishte i plagosur. Grupi i gatshëm bëri ndalimin e tij dhe më pas shoqërimin për në spitalin e qytetit të Rrëshenit ku ndodhet aktualisht duke marrë mjekim në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën. Të dëmtuarit i janë gjendur me vete dy armë automatike tip Kallashnikov, dy pistoleta tip TT, një palë dylbi, dhe një sasi të konsiderueshme fishekësh. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, rezultoi se shtetasi Erjon Nikolli, ka pasur si synim grabitjen e kalimtarëve, në aksin rrugor Rrëshen – Fushë Arrëz, por dyshohet se ai është vetëplagosur me armët që mbante me vete. Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që ndaj 20-vjeçarit është lëshuar një urdhër-arresti.

12 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›