E Shtunë, 31 Tetor 2026

AKKP: Në qershor nis kompensimi financiar

29/05/2009  Kreu i Agjencisë së Pronave sqaron procedurat për kalimin e oborreve në pronësi

Aplikimi për përfitimin e kompensimit financiar për ish-pronarët do të nisë në qershor. Kreu i Agjencisë së Pronave, Elvis Çefa, bëri të ditur dje se ky proces pritet të konkretizohet brenda pak ditësh. Vendimi për kompensimin financiar të ish-pronarëve për vitin 2009 është miratuar në Këshillin e Ministrave. Pasi të botohet në Fletoren Zyrtare ai do të hyjë në fuqi jo si zakonisht për 15 ditë, por brenda 5 ditësh. Kjo do të thotë se brenda qershorit do të nisë aplikimi sipas procedurave të përcaktuara tashmë në vendim, ku nuk përjashtohet aplikimi i atyre personave që nuk përfituan nga kompensimi i 2008-s. Për kompensimi financiar për këtë vit qeveria ka vënë në dispozicion rreth 600 milionë lekë të reja dhe pritet të përfitojnë rreth 150 ish-pronarë.

Oborret në përdorim

Qytetarët që kanë një oborr në përdorim duhet të aplikojnë në zyrat rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për ta kaluar në pronësi sipërfaqen e saj. Sipas kreut të AKKP-së, vendimi që i jep zgjidhje ligjore këtij ngërçi të krijuar për kalimin e oborreve nga përdorim në pronësi. “Me anë të këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, tashmë i është dhënë zgjidhja ligjore ngërçit të mospajisjes dot me certifikatë pronësie për oborrin e tyre, të personave të cilët praktikisht e zotërojnë ose janë pronarë të shtëpisë. Përfitoj nga ky rast që t’u bëj thirrje të gjithë personave të interesuar që të paraqiten pranë të gjitha zyrave rajonale të Kthimit dhe të Kthimit të Pronave që të pajisen dhe që të njihen me të gjithë dokumentacionit e nevojshëm juridik dhe ligjor që duhet të plotësojnë”, - tha Çefa. Sipas vendimit, oborret në përdorim tjetërsohen nëse brenda tyre ose në lidhje funksionale me to gjendet ndërtim i regjistruar në regjistrat e ZRPP-së në pronësi të kërkuesit dhe i ngritur para datës 10.08.1991. Këto oborre tjetërsohen nëse janë në pronësi të shtetit, ndonëse të paregjistruara si të tilla, por të patransferuara në inventarin e pronave të organeve të qeverisjes vendore. Pranë këtyre agjencive mund të gjendet formulari përkatës, të cilin e plotëson çdo qytetar i interesuar. Sipas procedurës, agjencia rajonale ka detyrim që brenda një afati prej 30 ditësh të marrë një vendim paraprak në lidhje me kërkesën e të interesuarve.

Tjetërsimi

Oborret në përdorim tjetërsohen pa kundërshpërblim, në rastin kur e drejta e pronësisë mbi këto sipërfaqe është hequr pa kompensim për shkak të ligjeve të kohës. Nga ana tjetër vendimi i Këshillit të Ministrave miratuar pak kohë më parë thekson se këto oborre nga përdorim në pronësi tjetërsohen me kundërshpërblim, në rastet e tjera. Në këto raste çmimi do të përcaktohet me vlera përkatëse të përcaktuara në vendim.

Kushti

Oborret në përdorim që do të tjetërsohen sipas këtij vendimi, nuk duhet të kenë qenë më parë objekt kthimi nga AKKP-ja ose ish-komisionet vendore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Nuk janë objekt shqyrtimi nga AKKP-ja oborret në përdorim, brenda të cilave ose në lidhje funksionale me to gjendet ndërtim informal. Ato do të trajtohen në përputhje me aktet ligjore e nënligjore në fuqi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›