Berisha s’e njeh baxhanakun, Basha nuk njeh kunatin
Antena brenda familjes
Flamuri dje nuk dinte nga t’ia niste. Damir Fazlliç i kishte ngatërruar gjithë punët. Bogdani i shkretë, që duhet të dalë çdo ditë të lajmërojë për ndonjë lajm, nuk dinte nga t’ia niste. E mori ai burri në telefon dhe i tha: “Shkruj!”
- Prit pak doktor, - i tha Bogdani, - sa të hap zyrën, se mezi erdhi Flamuri.
- Lëre Flamurin, po shkruj. Flamuri nuk e din të vërtetën Ta them unë. Do thuash që Damir Fazlliç është njeri i lirë dhe mund të bëj biznes në Shqipëri. Jo thuaje këtë, se e kam mik dhe ma kanë fyer kot. Jo se do t’ua nxjerr unë të gjitha këtyre. Nuk ua fal këtë që më bënë me Fazlliçin. Është njeriu më i afërt që kam. Më ka ndenj afër në ditë të vështira. Ka hap kompani, mirë ka bërë. E shkrujte?
- Ti shkruaj të gjitha këto doktor?
- Jo, jo, vetëm fjalinë e parë, atë që ai është i lirë të bëjë biznes në Shqipëri.
- OK, kaq, apo të shtojmë gjë tjetër?
- Shto se kemi dosje për gjithë mafian e Ballkanit që vepron këtu dhe të ndonjë personi tjetër. Do t’ia hapim letrat.
- Ta shkruaj dhe këtë kështu?
- Jo kështu jo, vetëm pak leri, t’i kërcënosh.
- Po për këtë kunatin e Lulëzim Bashës, doktor, si do t’ia bëjmë?
- Gerti, ne kemi një qëndrim konstant dhe nuk e ndryshojmë. Ne nuk merremi me biografi, po hyre te puna e kunatit, është të bësh lojën e tyre, atë duan ata.. E provuan një herë me baxhanakun. Nuk u shkoi. Jo, nuk u shkoi, se unë nuk e njihja. Dhe unë nuk jam njeri që bëhem me baxhanakë apo kunetër, unë shikoj punën time. Nuk kam punë me të tjerë. Dhe Basha njësoj. Jo njësoj është ai si unë. Nuk e njeh kunatin ai. Nuk ka lidhje me kunatin. As që pyet fare ai për kunatin. Ata kanë qenë familje e majtë. Miq të Gramoz Ruçit. E kanë pas si të shtëpisë Gramoz Ruçin. Jo, Luli s’ka punë me ata. Ata janë socialistë, ai s’ka punë me ta. As Fazlliç nuk ka punë me Erionin. Administrator e ka. Nuk e ka gjë. Nuk ka lidhje. Këta duan mor zotëri të na fajësojnë për baxhanakë dhe kunetër. Ne nuk kemi lidhje me ta. Duan të fajësojnë për shokët e djalit dhe shoqet e vajzës. Nuk kemi punë me ta. Jo ta dish mirë, nuk kemi punë me ta.
- Shumë mirë doktor, atë mendoj dhe unë.
- Jo e dinë të gjithë. Ata kanë ndihmuar djemtë e shokëve, ne nuk ndihmojmë shokët e djemve. Jo ta dinë mirë.
- Dakord doktor, jam i qartë. I thuaj Flamurit ta mbajë derën hapur gjysmë ore, se do që të iki.
- Pa merak, se flas unë.