Rama prezanton kandidatët e PS-së në qarkun e Lezhës
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vazhduar turin elektoral në qytetin e Rrëshenit. Në këtë takim kryesocialisti Edi Rama ka prezantuar kandidatët e PS-së në qarkun e Lezhës, qark në të cilin përfshihet edhe qyteti i Rrëshenit. Gjatë fjalës së tij në këtë takim Rama tha se Partia Socialiste synon që brenda vitit 2010 të liberalizojë vizat, në mënyrë që të mos ketë më kufij mes Shqipërisë dhe Europës. Rama tha gjithashtu se synon të ndërtojë një shoqëri civile, jo një qeveri deputetësh, por një qeveri që të japë llogari para Parlamentit. “Unë nuk premtoj, por angazhohem solemnisht para jush që me fitoren e 28 qershorit ne do të bëjmë shumë. Dhe kryesorja; do të punojmë që në 2010-n të mos ketë më kufi mes Shqipërisë e Europës. Të mos ketë më kufi për të rinjtë e Mirditës që janë në emigracion e nuk vijnë dot në Shqipëri për të parë të afërmit e tyre”, - tha kreu i Partisë Socialiste. Rama tha se më 28 qershor, shqiptarët, me votën e tyre, do të ndajnë të ardhmen nga e shkuara. “Edhe 20 ditë për t’u ndarë nga politika e vjetër e së shkuarës. Edhe 20 ditë për të ndërtuar një shtet që të gjithë qytetarëve u jep ujë, drita, siguri dhe punë”, - tha Rama.
10 Qershor 2009