E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-ja tenton të vërë nën presion politik Prokurorinë e Përgjithshme

Kuvendi, letër kryeprokurores Ina Rama për dosjen kundër Edi Ramës. “Deri sot nuk ka pasur asnjë veprim procedural në detyrim të legjislacionit penal”

Eljona Ballhysa
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Albert Kushi, i ka dërguar një letër kryeprokurores Ina Rama, së cilës i kërkon informacion në lidhje me hetimet për dosjen kundër Edi Ramës, të dërguar në Prokurori nga PD-ja. Në përfundim të legjislaturës Kuvendi miratoi raportin e Komisionit parlamentar hetimor për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ndërsa dosja me shkeljet e tij ligjore të zbardhura nga deputetët e PD-së në këtë komision iu dërgua Prokurorisë së Përgjithshme. Ashtu sikurse shkruhet në letrën drejtuar kryeprokurores, kjo e fundit nuk ka ndërmarrë asnjë hap procedural në lidhje me këtë dosje “akuzash” kundër Edi Ramës, të dërguar në Prokurori nga PD-ja. Nëpërmjet kësaj letre funksionari i PD-së kërkon informacion nga Prokuroria për ecurinë e hetimeve për akuzat e bëra nga PD-ja për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Kjo letër i dërgohet Prokurorisë së Përgjithshme në mesin e fushatës elektorale dhe duket si një përpjekje e PD-së jo vetëm për të denigruar figurën e kundërshtarit politik, por edhe për të vënë në presion politik Prokurorinë e Përgjithshme.
Letra
Letra, e cila mban emrin e sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Albert Kushti, që në hyrje të saj bën të ditur bazën ligjore në të cilën mbështetet kërkesa për informacion nga ana e Prokurorisë. “Në bazë të Ligjit nr. 8891, datë 2.5.2002, ‘Për komisionet hetimore parlamentare’ dhe të Ligjit nr. 8737, datë 12.2.2001 ‘Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë’, i ndryshuar, ju kemi dorëzuar para më shumë se tri javësh Raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar, sipas të cilit kemi kërkuar prej jush fillimin e procedimin penal ndaj zyrtarëve të lartë të Bashkisë Tiranë për kryerjen e disa veprave penale. Në këtë raport të Komisionit hetimor parlamentar lidhur me dhënien e lejeve të ndërtimit në Bashkinë Tiranë janë vënë në dukje rastet flagrante të konfliktit të interesit të vërejtura prej të paktën dy anëtarëve të KRRT-së, të caktuar nga kryetari i Bashkisë, të cilët edhe votojnë haptas në konflikt interesi me dijeninë e kryetarit të Bashkisë, edhe kanë monopolizuar lejet e ndërtimit në Bashkinë Tiranë, duke përbërë haptas elementet bazë të veprave penale. Por, edhe pse kanë kaluar më shumë se tri javë nga depozitimi, edhe pse nga ana juaj duhej të kishte një reagim dhe informim të Kuvendit dhe Komisionit hetimor parlamentar, si për veprat penale të kallëzuara prej nesh, ashtu edhe për ato te cilat juve kryesisht duhet të kishit filluar procedimin, për rastin se si Dash Pezës i është dhënë leje ndërtimi për pallat mbi rrugë publike, deri sot nuk ka pasur asnjë veprim procedural prej jush në detyrim të legjislacionit penal”, - shkruhet në letrën drejtuar kryeprokurores Rama.
Më tej në letër jepen raste konkrete ku evidentohen shkeljet ligjore nëpërmjet dhënies së lejeve të ndërtimit nga kryebashkiaku Rama. “Siç është bërë e ditur publikisht, Bashkia e Tiranës ka dhënë leje ndërtimi mbi një truall publik që është një rrugë e lagjes dhe sot kjo rrugë nuk ekziston më për të vetmen arsye se ndërtuesi, Dash Peza, është miku i ngushtë i kryetarit të Bashkisë. Dhënia e lejes së ndërtimit në mungesë së pronësisë mbi tokën është gjithashtu në kundërshtim me ligjin e urbanistikës dhe krijojnë bindjen e plotë se është konsumuar vepra penale e ‘shpërdorimit të detyrës’, parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal. Duke marrë në konsideratë interesin e madh publik që kanë çështjet e mësipërme, ju kërkojmë, bazuar në Nenin 22 të Ligjit nr. 8891 datë 2.5.2202, “Për komisionet hetimore parlamentare”, si dhe Nenin 52 të Ligjit 8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”, i ndryshuar, të na informoni në një kohë sa më të shpejtë mbi veprimet hetimore të kryera nga ana juaj, në zbatim të detyrimeve kushtetuese dhe funksionale të institucionit që drejtoni”, - përfundon letra e Kuvendit, drejtuar prokurores së Përgjithshme Ina Rama. Pritet që ditët në vijim të ketë një reagim të Prokurorisë së Përgjithshme ndaj kësaj letre.

Kuvendi hesht ndaj vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi

Kuvendi i Shqipërisë duket se përdor dy standarde përsa u përket marrëdhënieve me Prokurorinë e Përgjithshme. Nga njëra anë dërgon letër për t’u informuar për ecurinë e hetimeve të ndërmarra nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me dosjen e akuzave të bëra nga PD-ja kundër kryetarit të PS-së, dhe nga ana tjetër nuk ka ndërmarrë asnjë hap për t’u njohur me ecurinë e hetimeve të Prokurorisë mbi vrasjen e një prej deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Ndonëse vrasja e një deputeti nuk është një ngjarje e zakonshme, duket se kjo nuk e ka nxitur aspak Kuvendin që të kërkojë informacion nga Prokuroria për vonesat në gjetjen e vrasësve. Megjithëse krerët e shtetit, duke përfshirë dhe kryetaren e Kuvendit, premtuan se kjo ngjarje do të zbardhet sa më parë dhe se vrasësit e deputetit do të vendosen para drejtësisë, ende vazhdon të mbetet enigmë vrasja e deputetit të Partisë Socialiste Fatmir Xhindi vetëm pak ditë para fillimit të fushatës elektorale.

10 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›